A mund të ruhen arritjet e 20 viteve të fundit në Afganistan?

10/09/2021 08:55

Lufta e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, që ka nisur më 2001, ka përmbysur regjimin brutal të talibanëve, i cili ka strehuar rrjetin e Al-Kaidës.

Gati 20 vjet më vonë, trupat amerikane dhe forcat tjera ndërkombëtare janë larguar përmes një procesi kaotik.

Ato ditë, përkatësisht më 30 gusht, ka shpërthyer edhe një bombë – ndër më vdekjeprurëset – duke lënë të vdekur më shumë se 180 njerëz, duke përfshirë 13 trupa amerikane.

Talibanët janë kthyer në pushtet dhe grupet terroriste, sikurse Shteti Islamik Korasan (IS-K), janë duke vepruar në Afganistan, ndërkohë që rriten shqetësimet se edhe vetë Al-Kaida mund të gjejë vend në këtë shtet.

“Synimi i parë i (prezencës amerikane në Afganistan) ka qenë që të ndalen sulmet terroriste ndërkombëtare sikurse 11 shtatori, apo të organizohen dhe planifikohen nga Afganistani”, ka thënë ish-diplomati britanik Nicholas Kay, në një intervistë për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë.

Kay ka shërbyer si i dërguar i shtetit të tij në Afganistan dhe si përfaqësues i lartë i NATO-s në periudhën 2017-2020.

Në kohën e rritjes së shqetësimeve për situatën e sigurisë në Afganistan, prej marrjes së pushtetit nga talibanët më 15 gusht, pyetjet janë duke u rritur për dy dekada të përpjekjeve amerikane që të mposhtin grupin kryengritës dhe për jetësim të demokracisë në shtetin e shkatërruar nga lufta.

Luftimet prej vitit 2001 kanë rezultuar me kosto të madhe njerëzore: 2,455 ushtarë amerikanë, rreth 66,000 trupa afgane, më shumë se 47,000 civilë të vrarë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se Afganistani është në mesin e vendeve “më të përgjakshme në botë për civilët”.

Misioni amerikan ka kushtuar rreth dy trilionë dollarë, përfshirë trajnimin dhe pajisjet për ushtrinë afgane pro-perëndimore, e cila shpejt është shkrirë, pas fillimit të tërheqjes së trupave ndërkombëtare më 1 maj, duke u mundësuar talibanëve që të fitojnë shpejt kontrollin e shtetit.

Pavarësisht investimeve të mëdha në këtë shtet, shumë afganë ende jetojnë në varfëri dhe rreth gjysma e popullsisë varet nga ndihmat humanitare, sipas grupeve për ndihma.

Shumë njerëz, përfshirë miliona afganë që janë detyruar të shpërngulen brenda shtetit, apo edhe të largohen nga ai, tani janë duke pyetur nëse ia ka vlejtur gjithë ajo përpjekje e komunitetit ndërkombëtar.

“Populli afgan ka një pyetje shumë të rëndësishme, pas 20 vjetëve dhe vrasjeve e ditëve të vështira, cili është rezultati? A jemi kthyer 20 vjet mbrapa?” ka thënë Shafiq Hamdam, për Radion Azadi, i cili ka këshilluar forcat e NATO-s në Afganistan.

Dhuna dhe martesat me detyrim i shtyjnë gratë afgane të ikin

Ndërkohë që disa i kanë përshkruar përpjekjet e dy dekadave të kaluara si dështim, tani që talibanët janë kthyer, shumë të tjerë kanë shprehur shpresën se disa arritje sikurse të drejtat e grave, edukimi dhe kujdesi shëndetësor mund të ruhen edhe nën rregullin e grupit islamist.

“Ajo që më 2001 ka nisur si rrugëtim për paqe, ka përfunduar si rrugë shumë e përgjakshme dhe e kushtueshme për afganët, për amerikanët dhe për secilin”, ka thënë Bilal Sarwary, gazetar i mirënjohur afgan, i cili ka ikur nga shteti i tij pas pushtimit të talibanëve.

Megjithatë, Sarwary ka thënë se shteti i tij ka ndryshuar rrënjësisht në 20 vjetët e fundit.

Disa nga përparimet më të mëdha prej vitit 2001 lidhen me gratë, të cilat kanë fituar shumë të drejta që rrezikojnë t’i humbin nën talibanët, pasi këta të fundit, në periudhën e viteve 1996-2001, i kanë mbyllur gratë në shtëpi dhe ua kanë ndaluar shumë gjëra.

“Ne kemi shënuar përparim në të kaluarën dhe pavarësisht kërcënimeve për siguri dhe problemeve tjera, ne kemi studiuar, kemi marrë përgjegjësi, kemi punuar bashkë me burrat”, ka thënë një grua më 2 shtator, në një protestë të mbajtur në qytetin Herat.

Gjatë kohës sa ka udhëhequr qeveria pro-perëndimore, gratë kanë mundur të shkojnë nëpër shkolla dhe janë bërë mësuese, police, gjyqtare, ligjvënëse dhe zyrtare qeveritare.

Ky shtet ka mbajtur edhe zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale, të cilat ndonëse janë kritikuar, u kanë dhënë afganëve mundësi që të marrin pjesë në procese demokratike.

Mirëpo korrupsioni në këtë shtet ka qenë endemik dhe qindra miliona dollarë të ndarë për ndërtime, kanë humbur si pasojë e “mashtrimeve dhe abuzimeve”.

“Shpërthimet me bomba dhe sulme tjera nga grupe të ndryshme militante – përfshirë të talibanëve – janë përhapur në gjithë shtetin dhe kanë lënë të vdekur mijëra persona të pafajshëm”.

Mirëpo jeta është përmirësuar për miliona afganë.

Përveç qasjes në edukim, shumë afganë kanë pasur më shumë qasje në kujdes shëndetësor dhe mortaliteti i foshnjave është zvogëluar për gati 50 për qind.

Shumë persona kanë pasur qasje në internet dhe telefona për herë të parë.

Rreth 80 për qind e popullsisë është thënë se ka pasur qasje në telefona mobilë dhe është raportuar se në Afganistan janë rreth nëntë milionë përdorues të internetit, në shtetin që ka rreth 38 milionë banorë.

Mediat e kontrolluara plotësisht nga pushteti gjatë regjimit të talibanëve, janë zëvendësuar me dhjetëra gazeta, radio e televizione të pavaruara.

Këto media tani janë të shqetësuara për censurën dhe ndalesat për gratë gazetare që kanë punësuar.

Zyrtarët talibanëve u kanë thënë shumicës së gazetareve që të mos kthehen më në vendet e punës.

Michael Kugelman, zëvendës-drejtor në Azinë Jugore në Qendrën Ndërkombëtare, Woodrow Wilson, ka thënë se arritjet më të mëdha të forcave të udhëhequra nga SHBA-ja, kanë qenë në sektorin shoqëror, duke paralajmëruar se ato mund të rrezikohen lehtë.

“Marrë parasysh qëndrimet ekstremiste të talibanëve dhe taktikat e tyre shtypëse, por edhe mungesën e përvojës në qeverisje dhe politika zhvillimore, ka arsye të mira për t’u frikësuar se këto arritje – edhe nëse nuk janë aq të mëdha sa sugjerojnë disa – mund të përmbysen me lehtësi”, ka thënë Kugelman për Radion Evropa e Lirë.

Analisti Hamdam ka sugjeruar se gjithçka do të varet nga talibanët dhe mënyra si do ta drejtojnë ata shtetin.

“Ndërtimi i Afganistanit, institucionet demokratike, struktura demokratike, infrastruktura joushtarake, të gjitha këto – amerikanët nuk i kanë marrë me vete gjatë largimit”, ka thënë ai.

“Kjo infrastrukrurë ka mbetur në Afganistan, për njerëzit e Afganistanit, dhe pajisjet ushtarake në vlerë të qindra miliona dollarëve po ashtu u takojnë afganëve. Andaj duke i ruajtur ato, ata ruajnë këto vlera, kapitalin dhe interesat kombëtare të Afganistanit”.

Tregtia e armëve merr hov në Afganistan pas kthimit të talibanëve

“Është përgjegjësi e popullit të Afganistanit dhe përgjegjësi e talibanëve që të ruajnë këto vlera edhe nëse disa prej tyre i kundërshtojnë ato”, ka shtuar ai.

Heather Barr, bashkëdrejtore e përkohshme e Departamentit për të Drejta të Grave në organizatën ndërkombëtare, Human Rights Watch (HRW), ka thënë se ndryshimet që kanë zënë vend në shoqërinë afgane, pritet të jetë sfidë për talibanët.

“Tani është një gjeneratë e grave dhe vajzave të reja – dhe burrave të rinj – që janë rritur, shumica prej tyre me qëndrime krejtësisht ndryshe për të drejtat dhe rolin e grave, në krahasim me atë të talibanëve më 2001 apo edhe atë të ditëve të sotme. Është e vështirë të shohësh si këto gra dhe vajza – dhe familjet e tyre -do të mund të jetojnë nën qeverinë e talibanëve që dëshirojnë të kthejnë mbrapsht të drejtat e grave, ndonëse për pak këto qëndrime mund të jenë më fleksibole sesa më 2001”, ka thënë Barr.

Në ditët e fundit, gra në Kabul, Herat, Maraz-e Sharif dhe Zaranj, kanë dalë nëpër rrugë për të kërkuar që të respektohen të drejtat e tyre, që kanë gëzuar në 20 vjetët e fundit.

Ato kanë thënë hapur se nuk janë gratë e viteve 1990 dhe se Afganistani nuk është shteti që ka qenë sa kanë udhëhequr talibanët herën e fundit.

Talibanët, të cilët nuk kanë emëruar asnjë grua në qeverinë e re me 33 ministra, kanë përdorur forcën për të shpërndarë protestat e grave.

Barr pret që shumë gra afgane t’iu rezistojnë përpjekjeve të talibanëve për t’ua kthyer mbrapsht të drejtat, përmes oragnizimit të fshehtë të shkollave për gra, rrjeteve mbështese të grave dhe përmes protestave publike në rrugë.

“Pyetja reale është se cili do të jetë reagimi ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

“A janë të gatshëm që të thonë vetëm ‘turp’ dhe të mos parandalojnë shkatërrimin e drejtave të grave në Afganistan, pa ndjenjë të përgjegjësisë për gratë afgane?”/ REL.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA