Vritet kandidati i PDK në Pejë/ Si pasojë e një konflikti me armë, humbën jetën dy persona, një mbeti i plagosur

09/09/2021 01:38

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Pejës, Astrit Ademaj është vrarë mbrëmjen e së mërkurës.

Policia rajonale konfirmoi për Top Channel se rreth orës 20:20 minuta, është njoftuar se në afërsi të shkollës ekonomike në Pejë është qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e konfliktit me armë, tre persona janë plagosur.

Ata u dërguan në spitalin e Pejës, ku dy prej tyre humbën jetën, konfirmoi për Top Channel zëdhënësi i spitalit rajonal të Pejës Naim Sahiti. Prokuroria po heton ngjarjen.

Gazmend Muhaxheri, kryetari aktual i komunës se Pejës shkroi në Facebook se njëri nga të vrarët ishte kandidati për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj. Viktima tjetër sipas Kosovapress është Blerand Kadriaj, ish kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Deçanit.

Top Channel