Kosova, shuplakë fytyrës Serbisë: Do vazhdojmë lobimin për njohje!

09/09/2021 16:31

Kosova e ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të lobimit për njohje të reja pasi sipas zëvendës kryeministrit, Besnik Bislimi, moratoriumi në bazë të marrëveshjes së Uashingtonit ka qenë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe jo sa i takon angazhimit për njohje.

“Moratoriumi ka pasur mandat 1 vjeçar. Dhe afati i tij, ka skaduar në 4 shtator”, u shpreh Bislimi. Shtatorin e vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje në Uashington, në bazë të së cilës Serbia duhet të pezullonte fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës, ndërsa Prishtina duhet të respektonte një moratorium njëvjeçar, për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në 3 shtator, një ditë përpara se moratorium të përfundonte, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja ka kërkuar nga të dy vendet vazhdimin e tij. Presidenti serb, Aleksandar Vuçic tha muajin e kaluar se “nëse dikush merr vendim për ta njohur Kosoven si shtet të pavarur”,Beogradi “do të nisë menjëherë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”. Vitet e fundit Kosova ka aplikuar për tu bërë anëtare e UNESCO-s, INTERPOL-it, Këshillit te Europës e disa organizatave te tjera.

Top Channel