Klima e të bërit biznes në vend është ende e pafavorshme për sipërmarrjen.
Në indeksin e Biznesit të publikuar nga Dhoma Amerikane, besimi i biznesit në Shqipëri shënoi rënie me 0.5% në 2021, duke arritur në 37.6 nga 38.1 që ishte më 2019 duke shënuar nivelin më të ulët që prej fillimit të matjes së indeksit 9 vite më parë.
Efektet e pandemisë si dhe kushtet e ekonomisë së përgjithshme evidentohen edhe si dy faktorët që kanë ndikuar në përkeqësimin e besimit të bizneseve, duke bërë që klima e biznesit të bjerë me 1.57 pikë krahasuar me vitin paraardhës.
Sistemi tatimor vijon të mbetet një shqetësim i madh për sipërmarrjen pasi 59% e të anketuarve nga 150 kompani të pyetura, e cilësuan nivelin e taksave të pafavorshëm dhe vendin jo konkurrues në nivel rajonal.
Një tjetër shqetësim që ngrenë bizneset lidhet edhe me mangësitë në gjetjen e stafeve të kualifikuara pasi kjo mbetet një sfidë për shumë kompani që operojnë në vend, edhe pse ky tregues ka parë një përmirësim të lehtë në 2020.
Referuar anketës, duket se është bërë përmirësim në marrëdhëniet mes sipërmarrjeve dhe institucioneve qeveritare, pasi evidentohet një perceptim më pozitiv në raport me ministritë, pushtetin vendor si dhe tatimet e doganat.
Megjithëse Shqipëria shihet si një vend me potenciale të mëdha për investime në të ardhmen, bizneset theksojnë nevojën e një reforme të thellë dhe në një kuadër ligjor më të plotë si dhe domosdoshmërinë për një bashkëpunim më konstruktiv me qeverinë e re për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vend.
Top Channel