Spanja është shumë e fortë për Kosovën dhe bën detyrën në “Fadil Vokrri”, duke u larguar me tre pikë falë fitores 0-2, në një sfidë ku nuk e pa asnjëherë të nevojshme të “shtyjë gazin deri në fund”.

Gjithsesi paraqitje dinjitoze edhe nga ana e “dardanëve”, të cilët dhanë shkëndijën e parë të rrezikshme me anë të Elbasan Rrashanit, por goditja e sulmuesit të Clermont në Ligue 1 të Francës, përfundoi jashtë kuadratit.

Sfida u zhbllokua në minutën e 32-të, kur pas një pasimi të saktë të Alvaro Moratës, ishte sulmuesi Pablo Fornals që gjuajti saktë nga brenda zonës dhe mposhti portierin Arianet Muriç.

Në minutën e 53-të, Kosova krijon një tjetër mundësi të mirë shënimi, këtë herë me sulmuesin kryesor Vedat Muriqi, i cili bën gjithçka mirë përveç goditjes finale, pasi edhe njëherë topi përfundon jashtë kuadratit.

Rastin më të mirë për të barazuar e ka sulmuesi i Konyaspor në kampionatin turk, Zymer Bytyqi, i cili teston aftësitë e portierit Unai Simon, i cili reagoi saktë dhe devijoi topin në goditje nga këndi.

Në momentin më të mirë të “dardanëve”, Spanja ia doli të shënojë edhe golin e dytë, këtë herë me sulmuesin e Manchester City-t, Ferran Torres, të cilit iu desh të priste edhe konfirmimin e VAR-it para se të niste festën.

Po në grupin B, Suedia bëri një hap fals, pasi u mposht me rezultatin 2-1 nga Greqia në Athinë dhe bëri edhe më interesante garën për vendin e parë. Grupi B kryesohet përkohësisht nga Spanja me 13 pikë dhe dy ndeshje më shumë se Suedia e vendit të dytë, që ka grumbulluar 9 pikë, ndërsa Greqia merr vendin e tretë me 6 pikë, dy më tepër se Kosova ndjekëse.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA