Talibanët afganë emëruan një klerik të linjës së ashpër sunite si udhëheqës suprem të Afganistanit.

Mawlawi Haibatullah Akhundzada, 55 vjeç, është edhe udhëheqës i grupit radikal fundamentalist.

Ai e siguroi këtë pozitë në maj të vitit 2016, disa ditë pasi udhëheqësi i dytë i talibanëve, Mullah Akhtar Mohammad Mansur, u vra në një sulm të SHBA-së me dron, në jugperëndim të Pakistanit.

“[Akhundzada] është një figurë fetare që zotëron respekt të jashtëzakonshëm për shkak të kredencialeve të tij fetare”, thotë për Radion Evropa e Lirë gazetari afgan, Sami Yousafzai.

“Ai ishte gjykatës i lartë taliban dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të lëvizjes, Mullah Mohammad Omar”.

“Është një dijetar islamik dhe ka shkruar disa libra [për çështjet fetare]”, thotë Yousafzai.

Sipas tij, pas rënies së regjimit taliban në vitin 2001, kur Afganistani u pushtua nga forcat e huaja, Akhundzada iu bashkua udhëheqësve të lëvizjes për të kërkuar strehim në provincën jugperëndimore të Pakistanit, Baluçistan.

“Ai ka udhëhequr një medrese pranë Kuetës [kryeqytetit të Baluçistanit]”, thotë Yousafzai.

“Ai njihej si Akhundzada i Kuçlakut dhe shpesh drejtonte ceremonitë e diplomimit në medrese të ndryshme në rajon”, shton Yousafzai.

Kuçlak është një qytet i vogël pranë Kuetës, ku shumë udhëheqës të lartë talibanë besohet se u strehuan gjatë dy dekadave të fundit.

Deklaratat e fundit të talibanëve lënë të kuptohet se Akhundzada do të përcaktojë drejtimin strategjik të Qeverisë së re në, siç thonë ata, Emiratin Islamik të Afganistanit.

“Udhëheqësi i Emiratit Islamik ofroi udhëzime gjithëpërfshirëse dhe i bëri të gjithë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre”, tha zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, në fund të një konsultimi treditor midis udhëheqësve talibanë që u mbajt këtë javë në qytetin jugor të Kandaharit.

Talibanët duket se janë të prirë për ta portretizuar atë si udhëheqës vizionar.

”Pas tërheqjes së të gjitha forcave të huaja nga vendi ynë, ne duam të krijojmë marrëdhënie të mira me botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, cituan mediat talibane Akhundzadan në korrik.

Ashtu si themeluesi i lëvizjes, Mullah Omar, Akhundzada vjen nga provinca Kandahar e Afganistanit, ku lëvizja talibane u shfaq për herë të parë në vitin 1994.

Ai u ngrit në gradat e tij dhe u emërua kryetar i gjykatave ushtarake të talibanëve nga fundi i viteve 1990, kryesisht për shkak të kredencialeve të tij teologjike.

Nazar Mohammad Mutmaeen, ish-zyrtar taliban me bazë në Kabul, i cili shpesh përpiqet t’i shpjegojë pozicionet e talibanëve, shkroi se Akhundzada është një dijetar fetar me prirje për fjalime të gjata.

“Ai mund t’i komandojë emocionet e tij dhe talibanët e shohin si dikë të aftë për t’i bashkuar radhët e tyre”, tha Mutmaeen.

Nën udhëheqjen e Akhundzadas, talibanët shënuan fitore diplomatike dhe ushtarake.

Me zëvendësin e tij politik, Mullah Abdul Ghani Baradar, ai gjithashtu negocioi me sukses një marrëveshje për paqe me Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja e arritur në shkurt të vitit 2020 në Doha të Katarit shtroi rrugën për tërheqjen e SHBA-së dhe të forcave aleate nga Afganistani.

Akhundzada i mbajti të bashkuara gradat ushtarake të talibanëve, duke promovuar djalin e madh të Omarit, Mullah Yaqoob, si zëvendës të tij dhe duke e vënë atë në krye të krahut ushtarak të lëvizjes, së bashku me Sirajuddin Haqqanin, udhëheqësin e rrjetit Hakani.

Tani kur makina ushtarake talibane pushtoi me shpejtësi Kabulin dhe pjesën më të madhe të Afganistanit, Akhundzada përballet me një mori sfidash.

Nën udhëheqjen e tij, talibanët mund të jenë nën presion për të fituar legjitimitet ndërkombëtar, për të zgjidhur krizën e brendshme ekonomike ose për të ofruar qeverisje të mirë për afro 38 milionë banorët e Afganistanit, të cilët, përveç sigurisë, pritet të kërkojnë prosperitet dhe liri personale./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA