Gruaja e Michael Schumacher rrëfen për aksidentin, ditët para tragjedisë: Ai më tregon çdo ditë sa i fortë është (fotot)

08/09/2021 15:30

Në ditët para aksidentit tragjik, Michael Schumacher ishte ankuar për kushtet e dëborës në Alpe dhe sugjeronte të shkonin më mirë në Dubai, ka rrëfyer së fundmi bashkëshortja e tij pas dëmtimit në tru të kampionit që e lanë thuajse të vdekur.

52 vjeçarja Corinna, ka thyer heshtjen së fundmi për gjendjen e ikonës së ‘Formula 1’ duke thënë: “Michael më mungon çdo ditë. Por nuk më merr malli vetëm mua për të, janë fëmijët, familja, babai i tij, të gjithë të tjerët.

Rrëfimet e saj vijnë para një dokumentari të ri që po prodhohet për jetën e pilotit rekordmen gjerman nga rrjeti Netflix, ku tregohet dhe parandjenja e keqe për pushimet në rezortin francez të skive Meribel në dhjetor 2013.

Corinna thotë: “Pak para se të ndodhte në Meribel, ai më tha, ‘Dëbora nuk është e mirë. Duhet të shkojmë në Dubai, aty mund të hidhemi me parashutë”.

Kjo ishte një nga shprehjet e fundit të thëna nga babai i dy fëmijëve para se të përplasej me shkëmbin duke bërë ski me të birin Mick, asokohe 14 vjeç. Piloti kampion pësoi një lëndim në tru që e la në gjendje kome për gjashtë muaj.

Prej atëherë, Michael është nën kujdesjet e një klinike private, në shtëpinë e tij në Zvicër pranë liqenit të Gjenevës. Familja e tij ka dhënë vetëm detaje të pakta për gjendjen e tij duke kërkuar të ruhet privatësia në këtë kohë të vështirë.

Por tashmë Corinna ka vendosur të hapet duke pranuar publikimin e një dokumentari me titull ‘SCHUMACHER,’ duke treguar se në ditët e garimit ajo besonte se engjejt mbrojtës e ruanin burrin e saj.

“Ai gjithmonë kishte arritur t’ia dilte nëpër gara, prandaj ne mendonim se kishte disa engjëj që e ruanin në pistë”, thotë ajo.

“Nuk e di nëse ishte krijuar një si mur mbrojtës, apo nëse ishim ne shumë naivë, por thjesht nuk e kisha menduar që do të ndodhtë ndonjëherë diçka e tillë te Michael.”

“Nuk kam fajësuar Zotin për këtë që ka ndodhur, një aksident është vetëm fat i keq, si çdo fat i keq që njeriu mund të ketë në jetë”.

Në lidhje me mungesën e informacioneve gjatë periudhës së gjatë e të vështirë të rekuperimit, gruaja e Michael thotë se ajo gjithmonë ka vlerësuar privatësinë, prandaj familja nuk ka shpërndarë çdo informacion për gjendjen e tij.

Por ajo tregon se familja jetojnë të gjithë bashkë, marrin terapi psikologjike dhe se të gjithë kujdesen për Michael.

“Ne vazhdojmë të jetojmë si një familje, ashtu siç pëlqente Michael. Jetojmë në shtëpi, marrim terapi, bëjmë çdo gjë që Michael të përmirësohet dhe që të ndjehet sa më mirë”, thotë Corinna.

“Ne vazhdojmë jetën tonë: ‘gjërat private janë private’ thoshte ai gjithmonë. Michael gjithmonë na mbronte dhe tani e mbrojmë ne atë”.

Corinna e Michael u martuan në 1995 dhe kanë dy fëmijë, Gina, 24 vjeçe, e Mick, 22, të cilët e kanë ndjekur babanë në garat e F1. Të dy fëmijët do të shfaqen në dokumentar.

Mick ishte me Michael në aksidentin tragjik të 2013.

Në dokumentar Corinna përshkruan sesi ra në dashuri me pilotin, kur ai e ndihmoi të pastronte tavolinën pas darkës.

“Jam shumë me fat që kam njohur Michael. Është njeriu më i dashur që kam njohur. Njëherë bëra darkën për ditëlindjen e tij dhe ai më ndihmoi të pastroja e të laja pjatat. Aty mendova se ishte i veçantë”.

Në dokumentarin e ri përfshihen intervista me anëtarët e familjes, duke përfshirë babain Rolf dhe vëllanë Ralf, si dhe me figura të njohura të garimit në F1 si Jean Todt, Bernie Ecclestone, dhe pilotët Sebastian Vettel, Mika Häkkinen, Damon Hill, Flavio Briatore e David Coulthard.

FOTO GALERI
4/12
Corinna e Michael ne pamje arkivash me familjen

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA