Triumfi përballë Hungarisë për më tepër pas një takimi të luajtur në mënyrë të përsosur e ka shtuar optimizmin tek përfaqësuesja jonë. Të fitosh përballë “maxharëve” duke treguar një nivel të lartë futboll, vetëm pak muaj pasi këta të fundit impresionuan me paraqitjet e tyre në Europian është diçka që nuk ka se si të të mos entuziazmojë, megjithatë për fat të keq në futboll kënaqësia e suksesit zgjat pak sepse menjëherë vjen sfida e rradhës.
Këtë të mërkurë në orën 20:45 përballë kuqezinjve tanë do të jetë San Marino, sigurisht jo një rival i ashpër, por që nuk duhet absolutisht nënvlerësuar.
Ndeshja e parë në San Marino përfundoi me fitoren e pastër 0-2 për kombetaren tonë, megjithatë paraqitja në atë rast nuk ishte mbreslënëse dhe për këtë arsye duhet pasur kujdes sepse në futboll nuk ka as humbje e për më tepër as fitore të sigurt.
Kjo do të jetë përballja e 4-ët mes kuqezinjve dhe skuadrës që mban vendin e 209-të në renditjen e FIFA-s. Në 3 takimet para-ardhëse kanë ardhur 3 fitore për Shqipërinë me 8 gola të shënuar gjithsej dhe asnjë të pësuar.
Takimi do të luhet në “Elbasan Arena” dhe mundësia për të shfrytëzuar kalendarin është vërtetë e artë, duke qënë që Polonia e vendit të dytë përballet me Anglinë kryesuese, në një kohë që nuk duhet gabuar sepse Hungaria që ndodhet pas skuadrës tonë ka një ndeshje të thjeshtë në letër kundër Andorrës.
Me përqëndrimin e duhur marrja e 3 pikëve nuk do të jetë një mision i vështirë ndaj San Marinos, armiku më i madh është nënvlerësimi.
Top Channel