Kualifikueset, “Katar 2022″/ Fitojnë Spanja, Gjermania, Anglia, “ngec” Italia

06/09/2021 16:37

Spanja e la menjëherë pas krahëve humbjen me Suedinë në kualifikueset e botërorit 2022.

La Roja arriti të marrë një fitore bindëse në shtëpi ndaj Gjeorgjisë me rezultatin 4-0. Festivali i golave për skuadrën spanjolle u hap në minutën e 14 me Gaya. 11 minuta më vonë ishte Soler që gjeti golin për të besuarit e Luis Enriques duke çuar shifrat në 2-0. Pak minuta para fundit të pjesës së parë, Ferran Torres shënoi edhe golin e tretë për Spanjën, ndërkohë që llogaritë në rezultat u mbyllën në minutën e 63 kur Pablo Sarabia shënoi golin e katërt për të fiksuar fitoren 4-0 të La Rojas

Italia ngec në ndeshjen e saj ndaj Zvicrës që ishte pa Granit Xhakën të prekur nga Coivid-19. Në Bazel skuadra kampione e Evropës nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0, megjithatë vendosi një rekord të ri me 36 ndeshje radhazi pa pësuar humbje. Protagonisti absolut i ndeshjes u bë portieri Sommer që priti një penallti të Jorginhos, ndërkohë që më parë kishte ndalur edhe një sulm të Berardit. pas këtij barazimi, italia e sheh veten 4 pikë para Zvicrës, por me 2 ndeshje më shumë

Gjermania vë pikat mbi i dhe merr kryesimin e Grupit J pas fitores tenistike me Armeninë. Skuadra e Hansi Flick i mbylli llogaritë e sfidës që në pjesën e parë që e mbylli 4-0 me dy gola të Gnabry në minutat 6 dhe 15, një të Reus dhe një të Werner. Në pjesën e dytë u shënua edhe goli i pestë me Hoffmanm ndërsa në minutat shtesë Adeyemi fiksoi shifrat 6-0 për skuadrën 4 herë kampione të botës

Anglia vijon rrugëtimin perfekt në kualifikueset e botërorit 2022. Tre Luanët që janë në një grup me kombëtaren shqiptare mundën Andorrën me rezultatin 4-0. Jesse Lingard hapi serinë e golave për nënkampionet e Evropës, ndërkohë që Kane dyfishoi shifrat në 2-0. Lingard pak minuta pas këtij goli u bë sërish protagonist pasi e coi rezultatin në 3-0 duke realizuar një dygolësh personal, ndërkohë që pokerin e golave e plotësoi Saka 5 minuta nga fundi i ndeshjes. Pas kësaj ndeshjeje, Anglia kryeson Grupoin I me pikë të plota me 5 fitore në 5 sfida.

Top Channel