Edhe shtatzënat në spital me Covid/ 6 në gjendje të rëndë, asnjë e vaksinuar

06/09/2021 19:40

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë shtruar 16 gra shtatzëna, prej të cilave 6 po trajtohen me oksigjen ndërsa një është në gjendje të rëndë.

Në valën më të fundit të pandemisë kanë kërkuar trajtim spitalor 87 gra shtatzëna dhe asnjëra prej tyre nuk ka qenë e vaksinuar thotë drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, Jakup Ismajli.

“Me vetë faktin që janë të hospitalizuara ato kanë edhe probleme shëndetësore janë edhe shtatzëna, një numër i madh e kanë kryer edhe procesin e lindjes, mirëpo kanë nevojë për trajtim multidiciplinar dhe për të qëndruar në repartin COVID në Klinikën e Gjinekologjisë….Në këtë valën e fundit varianti “Delta” i kemi pasur 87 paciente të hospitalizuara, prej tyre janë 28 lindje, edhe sot ka përfunduar një lindje, 7 prej tyre i kemi transferuar në Mjekim Intensiv Qendror, tjerat janë liruar për në shtëpi…Nga të gjitha këto që kanë qenë të hospitalizuara në këtë valë, asnjë nuk është e vaksinuar”.

Ismajli jep detaje edhe për 26 vjeçaren që vdiq dje si pasojë e infektimit me COVID-19.

“Ajo ka ardhur nga Gjilani, ka ardhur te ne drejt nga zyra e pranimit, është dërguar në sallë të lindjes, ka përfunduar lindja me prerje cezariane dhe menjëherë është transferuar në Mjekim Intensiv Qendror dhe kjo lë të nënkuptojmë se ka ardhur në gjendje të rëndë, është dashur trajtim në Mjekimin Intensiv Qendror. Edhe bebja e saj ka lindur në gjendje të rëndë duke e ditur se ka ardhur nga Gjilani”.

Ditët e fundit humbën jetën dhe dy gra të tjera shtatzëna, një 28 vjeçare nga Vushtrria dhe një 26 vjeçare nga komuna e Vitisë.

Top Channel