Para ndeshjes kualifikuese për në “Katar 2022”, mes Shqipërisë dhe Hungarisë, trajneri i “Kuq e Zinjve” Edy Reja dhe portieri Etrit Berisha dolën në një konferencë për media. Reja dhe Berisha fillimisht treguan pikat kyçe nga humbja e thellë kundër Polonisë, ku më pas trajneri Reja tregoi edhe disa nga taktikat të cilat do të ndryshojnë në ndeshjen e nesërme, për shkak të mungesave të lojtarëve, përcjell KosovaPress.
Fillimisht portieri Berisha tha që duhet të mësojnë nga gabimet e lojës së kaluar.
“Po me siguri jemi të gjithë të vetëdijshëm për lojën që e kemi bërë me Poloninë. Mendoj që kemi bërë shumë gjëra të mira, mirëpo duhet t’i eliminojmë disa gjëra, sidomos në pranimin e golave ku nuk kemi qenë edhe shumë të vetëdijshëm për ato momente edhe pse jemi munduar që t’i përgatisim para lojës. Këtu gjërat e mira duhet t’i marrim me veti dhe duhet të mësojmë edhe prej këtyre gjërave, sidomos nga golat e pranuar, sepse mendoj që një ndeshje e tillë që e kemi bërë, ne duhet të merrnim shumë më shumë se kaq që bëmë….Dhe duke parë rezultatin që është shumë negativ ne do të mundohemi që në ndeshjen e ardhshme të japim edhe më shumë, t’i eliminojmë këto gabimet e tona dhe të rikthehemi me fitore“, Berisha.
Pas Berishës, fjalën morri trajneri Reja i cili fillimisht rezultatin ndaj Polonisë e cilësoi si jo të merituar. Ai tha se në ndeshjen e nesërme pret më shumë nga skuadra.
“Kemi pra një ndeshje për të rikuperuar ndaj Hungarisë pas atij rezultati mendoj të padrejtë që patëm me Poloninë dhe pres një ndeshje të mirë, një ndeshje të mirë nga skuadra. Duhet të bëjmë një paraqitje ashtu siç bëmë edhe në Poloni sepse nëse i hedhim një sy rezultatit 4:1 duket sikur na kanË masakruar por jo, në fakt nuk ishte ashtu. Skuadra bëri një paraqitje të mirë, pati ato momentet e veta të themi që e humbi përqendrimin por në vijën e përgjithshme skuadra bëri një ndeshje të mirë dhe unë dua që sërish të shikoj po atë fryme ekipi. Shpresoj që ta rigjejmë dhe të bëjmë një paraqitje të mirë me Hungarinë”, tha Reja.
Reja tregoi se çfarë pret nga skuadra në ndeshjen e nesërme kundër Hungarisë.
“Kemi ndeshjen me Hungarinë e cila duhet fituar në çdo rast pra, në çdo shans. Kemi shanse për të arritur objektivat akoma, pra jemi në lojë. Çdo ndeshje për mendimin tim është vendimtare në këtë pikë. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, dimë që Hungaria ka një skuadër shumë të fortë, një skuadër shumë të përgatitur dhe cilësore, por ne duhet të fokusohemi, të jemi të përqendruar 90′ minuta dhe të jemi të ndërgjegjshëm për aftësitë që kemi dhe të marrim tre pikë”, tha Reja.
Sa i përket formacionit, Reja pritet që të bëjë disa ndryshime në anën taktike për shkak të tri mungesave që do t’i ketë për nesër kundër Hungarisë.
“Kemi tre mungesa të rëndësishme për shkak të diskualifikimit dhe ndoshta do të më duhet të ndryshoj edhe vendosjen e ekipit në fushë ndaj Hungarisë, por gjithsesi kemi edhe një stërvitje të fundit për të bërë dhe do të shoh sërish para se të vendos se si do të luajmë”, tha Reja.
Po ashtu, Reja e konfirmoi që sulmuesi Armendo Broja nuk do të fillojë ndeshjen nga fillimi, por nëse do të nevojitet do të inkuadrohet në lojë.
“Për momentin nuk më ka dhënë ato përgjigje që unë pres, por gjithsesi është lojtar i madh, është lojtar i ri, lojtar i perspektivës, shumë cilësorë nuk diskutohet ky aspekt. Ai do të jetë në stol në ndeshjen me Hungarinë por nëse do të ketë nevojë për të gjatë ndeshjes, sigurisht që do të mbështetemi edhe te paraqitja e tij“, tha Reja.
Reja e konfirmoi që ndeshja ndaj Hungarisë do të jetë vendimtare dhe do të jetë jetike që të vazhdojmë ëndërrimin për t’u kualifikuar drejt “Katar 2022”.
“Për të dyja ekipet sigurisht që është ndeshje vendimtare për të sulmuar deri në fund arritjen e vendit të dytë në renditje. Sigurisht Anglia është favorite për vendin e parë të grupit dhe për t’u kualifikuar në eliminatore. Për mendimin tim çdo ndeshje është vendimtare dhe sidomos në rastin konkret Shqipëri-Hungari është një sfidë direkte le të themi, një sfidë direkte që për ne nënkupton se duhet fituar me çdokusht. Ne kemi nevojë të marrim pikë dhe mendoj që çdo ndeshje të paktën objektivi kyç i çdo ndeshje që luajmë në shtëpi të marrim fitore, që të jetë jetike për ne që të vazhdojmë të ëndërrojmë për t’u kualifikuar, pra për të pasur shanse për t’u kualifikuar në Botëror”, tha Reja.
Trajneri Reja tregoi që Uzuni me shumë gjasë do të fillojë ndeshjen nga minuta e parë nesër kundër Hungarisë.
“Mendoj se Uzuni ka mundësi këtë herë të luaj, është një lojtar që është një është në formë shumë të mirë dhe mund të ketë shanse për të luajtur si titullarë. Është shumë i motivuar e kam parë gjatë gjithë kohës, gjithsesi deri nesër në mëngjes do të marr një vendim nëse do të jetë apo jo, por ka shumë mundësi që të jetë edhe ai titullarë“, tha Reja.
Në fund të konferencës për media, trajneri Edy Reja dhe portieri Etrit Berisha kishin nga një mesazh për tifozët “Kuq e Zinjë”, të cilët do të rikthehen pas dy vitesh në stadium.
“Sigurisht jam shumë i lumtur që më në fund tifozët do të rikthehen në stadium dhe do të na mbështesin, është diçka e jashtëzakonshme kështu është futbolli, është sporti më i adhuruar në Shqipëri dhe jo vetëm dhe nuk ka kuptim pa tifozët. Në qoftë se ne do të kemi mbështetjen e tyre në stadium sigurisht që do të ishte një avantazh i madh për ne”, ishte mesazhi i Rejës.
“Është një mundësi shumë e mirë si për ne por edhe për ata që të vinë të na përkrahin dhe shpresoj që nesër të jenë në numër sa më të madh të mundshëm, dhe shpresoj edhe ne që të ju dhurojmë një fitore e cila do të ishte një gjë shumë e rëndësishme si për ne por besoj edhe për ta“, tha Berisha.
Nesër do të zhvillohet ndeshja e Grupit I për fazën kualifikuese për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” mes Shqipërisë dhe Hungarisë, takim ky që do të luhet në stadiumin “Air Albania”.
Top Channel