Zv/presidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris pati një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ku shprehu mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmën që Prishtina dha në përpjekjet e evakuimit nga Afganistani.

Shtëpia e Bardhë tha se Harris ripohoi marrëdhënien e fortë mes dy vendeve dhe shprehu vlerësimin për pritjen e përkohshme nga Kosova të afganëve të rrezikuar në Kampin Bondsteel.

“Zëvendëspresidentja Harris gjithashtu mbështetjen e SHBA-së për përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit dhe shpresat për përparim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja”, thuhet në njoftim.

Harris ndër të tjera e ka informuar presidenten e Kosovës se 503,100 doza shtesë të vaksinës Pfizer, dhuratë e Shteteve të Bashkuara do të mbërrijnë atje këtë fundjavë, duke iu shtuar 35,100 dozave që janë dhënë tashmë.

Osmani nga ana e saj e ka falenderuar Harris për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, në veçanti për dhurimin e vaksinave kundër COVID-19. “Një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së pareshtur të SHBA-ve për vendin tonë”, ka thënë ajo.

Top Channel