Një boksiere adoleshente ka humbur jetën, pesë ditë pasi u mund me ‘knockout’ në një duel profesionist.
Boksierja 18 vjeçare meksikane e peshave të lehta Jeanette Zacarias Zapata, u rrëzua në tapet në raundin e katërt nga rivalja Marie Pier Houle në kompeticionin GVM Gala në Montreal.
Ajo duket se kishte pësuar një krizë epileptike pas goditjes së rëndë nga një e majtë e ulët, e shoqëruar nga një e djathtë në kokë, dhe u dërgua në spital.
Lajmi u njoftua dje nga organizatori i dyluftimit Yvon Michel.
“Me trishtim e dhimbje mësojmë nga anëtarë të familjes, se Jeanette Zacarias Zapata ka ndërruar jetë sot pasdite në 3:45,” thuhej në deklaratë.
“I gjithë grupi i Yvon Michel është i trazuar nga ky njoftim i dhimbshëm.”
Rivalja e saj e ndeshjes së fundit, Houle shkruante në një reagim në Instagram: “Sporti i boksit ka shumë rreziqe, por ky është pasioni ynë. Asnjë herë nuk është qëllimi ynë të lëndojmë kundërshtarin”.
Top Channel