Rama: Zjarrvënësit prapa hekurave, meritojnë të kalben. Shpresoj që të jepet vendimi i duhur

03/09/2021 15:37

Kryeministri Edi Rama ishte në Bazën Ajrore në Farkë nga ku shprehu mirënjohjen  për forcat e armatosur,dhe të gjithë atyre të përfshirë në operacionet e zjarr-shuarjes përshi BE dhe SHBA për ndihmën e tyre.

Forca Tokësore, e ushtrisë shqiptare u vlerësua nga kryeministri me Medaljen e Artë.

Rama: Nga ana tjetër dua t’ju them të gjithë trupave të emergjencave civile, duke filluar nga trupa e re e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, se në ndërkohë, ne do të bëjmë atë që duhet për të rritur edhe pagën, që nuk do jetë asnjëherë e mjaftueshme, sepse nuk është e mjaftueshme askund kur cilido që i përket këtyre trupave përballet me një sfidë që kërcënon jetën e tij, por sidoqoftë është gjithmonë një motiv më shumë, jo vetëm për të çuar në shtëpi më shumë të ardhura të merituara nga puna, por edhe për të ndjerë vlerësimin dhe respektin për punën që bën.

Pasi përgëzoi punën hetimore të policisë së shtetit me arrestimet e disa zjarrvënësve të cilët Edi Rama i quajti barbarë, publikisht i adresoi  këtë kërkesë gjykatësve.

Rama: Meritojnë të kalben prapa hekurave dhe shpresoj shumë që gjykatat do të japin vendimet e duhura. Uroj shumë që gjykatësit që do të japin këto vendime, të jenë në lartësinë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyrore të dëmtuara dhe për kaq shumë pemë, burime jete të shkatërruara. Këto nuk janë pasuria e askujt individualisht, ato janë pasuria e të gjithëve bashkë dhe janë thesari që ne kemi detyrimin ta shtojmë e t’jua trashëgojmë fëmijëve tanë dhe fëmijëve të gjykatësve. Kështu që ky është një vendim që gjykatësit do jepnin për fëmijët e tyre. Uroj që të bëjnë gjënë e duhur e këta kriminelë barbarë, jo vetëm të kalben në burg, por dhe të shërbejnë për t’i dhënë një mesazh të qartë të gjithë atyre që potencialisht mund t’u ngjajnë kur të vijë vera e ardhshme.

Një tragjedi si ajo me humbjen e dy prindërve në Gjirokastër theksoi kryeministri Edi Rama,  është shumë e madhe e bën revoltën dhe nevojën për ndëshkim të zjarrvënësve shumë më të madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA