Fituesit ‘e mallkuar’ të llotarive që përfunduan të pastrehë, të braktisur apo edhe në burg (fotot)

03/09/2021 18:44

Dikush thotë se ‘paratë nuk mund të blejnë lumturinë’, në shprehjen që megjithse konsiderohet figurative, tingëllon mjaft e trishtë për disa fitues vërtet “të mallkuar” të llotarive milionere në Britani.

Siç tregon dhe lista e hartuar nga e përditshmja vendase The Sun,  megjithë xhekpotin e fatit, shumë milionerë të momentit kanë pësuar drama të rënda, që nga prishja e martesës deri te humbja e gjithçkaje të fituar.

Një ditë më parë u gjet e vdekur në shtëpinë e saj Margaret Loughrey e cila kishte fituar 27 milionë paundë në 2013 në Irlandën e Veriut, por pranonte se paratë nuk  i kishin sjellë lumturinë.

Një herë gruaja kishte thënë: “Paratë nuk më sollën asgjë përveçse dhimbje. Ato më shkatërruan jetën.”

Homazhe të shumta u bënë për gruan zemërmirë që shpenzoi shumë për vepra bamirësie, por historia e saj tragjike rezulton e ngjashme me disa fitues të tjerë vitet e fundit në Britani.

Ja disa të tjerë që goditën në shenjë, para se “fati t’u mbarohej”, shkruan me ironi tabliodi britanik.

Nëna e katër fëmijëve, tashmë 33 vjeçarja Callie kohët e fundit ka aplikuar për asistencë sociale. Ajo thotë: “Ishin shumë para për dikë në moshë aq të re”.

Ajo e përshkruan fitoren e llotarisë si një mallkim që e çoi drejt vetëvrasjes.

Callie Rogers

“Merrja qetësues dhe ilaçe gjumi. Për fat familjarët më gjetën e më çuan në spital,” thotë Callie e cila pas 18 vjetësh nuk mund të mbajë më veten e saj. Rrëfimi i gruas u bë gjatë gjyqit të saj në dhjetor për një aksident me makinë, nën efektin e kokainës.

‘Orgji të stilit romak’

Ndërsa i njohuri si ‘King of Chavs’ ishte 19 vjeç kur fitoi gati 10 milionë paundë në llotarinë kombëtare në nëntor 2002.

Punonjësi i pastrimit Michael Carroll, ishte në liri me kusht kur bleu biletën fituese, dhe menjëherë shpenzoi 350 000 paundë për një shtëpi me gjashtë dhoma gjumi në Norfolk.

Michael Carroll

Më tej ai shpenzoi edhe £400,000 për modifikime si pishinë dhe një pistë automobilistike në koshtin e tij. Michael shpenzoi rreth 1 milionë për klubin e tij të zemrës Rangers FC, dhe 50 000 paundë për një makinë BMW të re.

Duke parë shpenzimet dhe festat e tij pa fre, gruaja e tij Sandra, e la një muaj pas martesës në 2003, pas akuzave se e tradhtonte me prostituta. Ajo mori për vete 1.5 milionë nga marrëveshja si bashkëshorte, por largimi i saj bëri që Michael të shumëfishonte hedozmin e tij me ato që media quante “orgji të stilit romak” . Në vilën e tij ai shpenzonte çdo ditë 2,000 paundë vetëm për kokainë.

“Mendoja vetëm për tre gjëra – droga, seks dhe flori. Shpërndarësi që më mësoi kokainën ka shumë më tepër nga paratë e llotarisë sesa unë”, thotë fituesi i penduar.

Ai u dënua për dhunë psikologjike ndaj fqinjëve dhe u burgos për blerjen e drogave.

Në shkurt  2010 Michael u shpall i falimentuar dhe kërkonte asistencë si i papunë. Tashmë 38 vjeçar, Michael ka humbur gjithçka dhe deri së fundmi ka punuar duke prerë dru e duke shpërndarë qymyr.

Roger Griffiths dhe bashkëshortja Lara

Roger Griffiths dhe bashkëshortja Lara fituan 2 milionë paundë në llotarinë kombëtare në 2005. Burri punonte si menaxher IT ndërsa guaja mësuese arti. Çifti nisën të shijonin jetën  e bukur me një konvertim të shtëpisë prej 800,000 paundë, duke blerë makina luksoze e duke bërë pushime në Dubai, New York e Monaco.

Madje si amator i muzikës rock, Roger shpenzoi £25,000 për të regjistruar një këngë me grupin e tij të vjetër të universitetit në Lancaster. Çifti investuan në prona dhe një sallon bukurie, por kriza financiare 2008 reduktoi ndjeshem vlerën e pronave të tyre. Në 2013 paratë e tyre ishin zhdukur të gjitha dhe çifti ishte ndarë, secili duke fajësuar tjetrin.

Roger tregonte më pas: “Kur të thonë që je një milioner, ndjehesh pa kufij. Ne kishim luajtur llotarinë prej vitesh dhe kur mësuam që fituam, ishte tepër e madhe për ne”.

Nga super-vila në ‘i pastrehë’

Ish-i burgosuri Lee Ryan fitoi llotarinë kombëtare britanike prej 6.5milionë paundë, vetëm disa javë pas nisjes së saj në 1994.

Lee Ryan

Ai ishte në faqet e para të gazetave pasi ishte dënuar për shitje të makinave të vjedhura dhe kreu 18 muaj burg pas fitores së llotarisë. Por më pas shpenzoi një dekadë duke jetuar si sheik me shpenzime në makina luksoze, helikopterë dhe një vilë gjigante prej 2 milionë paundë.

Por dhe Lee përfundoi trokë dhe jetoi dy vjet në rrugë si i pastrehë. Ai tregon: “Paratë ishin si një mallkim për mua. Ndoshta sepse u talla me Zotin kur i kërkova të më bënte milioner. Edhe shoku im i qelisë më tha të bëj kujdes për ato që kërkoj”.

Pas fitores Lee ishte ndarë me të dashurën e tij të tetë viteve dhe u njoh me një 25-vjeçar nga Kirgistani. Bashkë me të ai shkoi në vendin e Azisë Qendrore për të investuar fitimet e tij, por u kthye duarbosh, duke pretenduar se u manipulua nga investitorët pas revolucionit në Kirgizstan në 2010.

Sherri për paratë

Jeta e Gillian e Adrian Bayford gjithashtu ndryshoi brenda natës në 2012 kur çifti fituan shumën marramendëse prej 148 milionë paundë. Vetëm 15 muaj pas fitores ata i dhanë fund martesës se tyre tetë vjeçare, duke fajësuar njëri-tjetrin për stresin e ardhur prej parave.

Gillian e Adrian

Prej atëherë jeta e të dyve ka qenë në faqet e gazetave vetem për arsyet e gabuara.

Adrian u lidh me kujdestaren e kuajve Samantha Burbidge, 16 vjet më e re se ai.

Pas tre vitesh bashkë ajo ia mbathi nga shtëpia e tyre prej 6 milionë paundë bashkë me 30 kuaj race dhe u kthye ne ish-të dashurin.

Në vitin 2018 partnerja e re e Adrian, e la atë për tradhti.

Ndërsa Gillian është dënuar për sulm ndaj të dashurit të saj, gjatë marrëdhënies që mori fund në 2017.

Gillian është tashmë në çift me ish-mashtruesin e dënuar Brian Deans, ndërsa në prill u mësua se Gillian kishte përfituar rreth 40,000 paundë në asistencë papunësie, megjithë fitoren gjigante të llotarisë.

FOTO GALERI
2/8
Ajo thotë: “Ishin shumë para për dikë në moshë aq të re”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA