Emerson Royal: Mendova se bëra ëndrrën realitet, por kuptova se …

03/09/2021 15:53

Emerson Royal mori vëmendjen e të gjithëve në merkaton e verës, pasi ish-i i Betis u largua nga Barcelona pas 40 ditësh dhe me vetëm 4 ndeshje në CV-në e tij.

Mbrojtësi 22-vjeçar nuk e ka pritur aspak mirë këtë lëvizje dhe mënyrën sesi e trajtoi Barcelona. Emerson, gjatë një interviste, tregoi se si e mori dhe priti lajmin për largimin e papritur drejt Tottenhamit.

“Në fundin e sezonit të kaluar, kisha mbyllur të gjitha gjërat me Betisin dhe kisha firmosur me Barcelonën, përpara se të shkoja me pushime. Momenti i rikthimit ishte një ndjesi e jashtëzakonshme për mua, sepse isha gati të luaja për Barcelonën dhe ëndrra ime tashmë ishte një realitet i prekshëm. Koeaman më priti shumë mirë e gjithashtu i gjithë ekipi dhe isha krenar edhe për faktin se në “Camp Nou” kanë luajtur dhe shkruar historinë shumë brazilianë. Por gjithçka u shkatërrua pas një telefonate nga drejtuesit e klubit, të cilët më komunikuan se ishte më mirë të më largonin, sepse situata financiare nuk ishte aspak e mirë” – tha mbrojtësi, që më pas shtoi: – “Nuk e kuptova aspak këtë situatë, sepse sapo kisha mbyllur 3 ndeshjet e para të kampionatit, sapo kisha firmosur dhe ende nuk kisha mbushur 40 ditë në Barcelonë. Ua bëra me dije se isha i gatshëm t’ua shpërbleja besimin, por as kjo nuk mjaftoi dhe aty kuptova se ishte më mirë të largohesha, sepse nuk mund të qëndrosh diku ku nuk të duan.”

Emerson është zyrtarisht lojtar i Tottenham dhe braziliani bën me dije se, pavarësisht çfarë ndodhi në fundin e merkatos, është gati për të dhënë maksimumin dhe për të lënë pas të kaluarën.

“Familja më ka qëndruar pranë dhe më ka mbështetur, edhe fansat e kuptuan se çfarë ndodhi midis meje dhe Barcelonës, prandaj nuk ka asnjë hatërmbetje midis meje dhe atyre. Tottenhami ka një projekt dhe unë jam pjesë e këtij projekti dhe kjo më lumturon. E kaluara mbetet e kaluar, ndaj jam totalisht i fokusuar për të bërë mirë në Premier League dhe maksimalisht i fokusuar për të ndihmuar klubin në arritjen e objektivave sezonalë” – përfundoi Emerson Royal.

Tottenhami do të rikthehet në fushën e lojës më 11 shtator, në transfertën e Crystal Palace, dhe Emerson do të jetë i gatshëm për të nisur një aventurë të re.

Top Channel