Qeveria Rama 3 ka në përbërje disa nga ministrat kryesore të qeverive të kaluara por edhe prurje të reja në kabinet. Numri dy i saj Arben Ahmetaj do të kujdeset për rindërtimin, detyrë të cilën e ka patur edhe në mandatin e dytë por tani në një pozicion më të lartë si zëvendëskryeministër.
Më herët ai ka qenë ministri i Financave që nga mandati i parë i socialistëve. Olta Xhaçka konfirmohet si ministre e punëve të jashtme. Këtë detyrë ajo e mori në mesin e mandatit të dytë ndërsa më herët ka qenë ministre e Mbrojtjes. Tek mbrojtja Niko Peleshi do vazhdojë të qëndrojë ministër edhe në mandatin e tretë.
Drejtimin e ministrisë së drejtësisë do ta marrë Ulsi Manja. Deri më tani, deputeti socialist i Dibrës ka drejtuar Komisionin Kuvendor të ligjeve ku u kujdes veçanërisht për çështjet e reformës në drejtësi. Edhe Bledi Çuçi është rikonfirmuar në krye të ministrisë së punëve të brendshme. Ndryshimi ka ndodhur në krye të ministrisë së Financave. Anila Denaj largohet për të vijuar detyrat partiake në Partinë Socialiste dhe në vendin e saj do të jetë Delina Ibrahimi aktualisht drejtore e tatimeve dhe që po drejton procesin e fiskalizimit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Rnergjisë, Belinda Balluku është rikonfirmuar në krye të ministrisë që drejton që prej largimin të Damian Gjiknurit nga qeveria. Është rikonfirmuar në detyre edhe Ogerta Manastirliu si ministre e Shëndetësisë. Ministrinë e Arsimit do e drejtojë Evis Kushi duke mos patur asnjë ndryshim nga qeveria e mandatit të dytë. Kushi erdhi në këtë ministri pas largimit të Besa Shahinit.
Ndërsa drejtimi i ministrisë së Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, ndryshon. Në krye do jetë Frida Krifca e cila deri më tani ka drejtuar Agjensinë e zhvillimit bujqësor. Për Turizmin dhe Mjedisin rikthehet në qeveri si ministre Mirela Kumbaro, e cila më herët në qeveri ka qenë ministre e kulturës. Elva Margariti do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Kulturës. Qeveria e re do të ketë 4 ministra shteti, Elisa Spiropali për marrëdhëniet me parlamentin. Milva Ikonomi qëndron në qeveri por ndryshon dikaster dhe do jetë më ministrinë për standardet. Prurje e re në qeveri do jetë Edona Bilali e cila do kujdeset për mbrojtjen e sipërmarrjes dhe Bora Muzhaqi për rininë dhe fëmijët.
Top Channel