Shikimi është një sinjal i fortë dhe i rëndësishëm i ndërveprimit mes njerëzve dhe tregues i qëllimeve apo vendimeve të tyre të mundshme.
Prandaj studiuesite “Istituto Italiano di Tecnologia” (IIT) në Itali hetuan nëse shikimi i një roboti humanoid (me formë e përmasa njerëzore) influencon mënyrën e arsyetimit të njerëzve në një kontekst social.
Dhe në fakt ata zbuluan se shikimi i robotit prekte aktivitetin neural të njeriut, duke influencuar vendim-marrjen e tij, dhe në veçanti duke e vonuar atë.
Pra shikimi i robotit i bën njerëzit ta konsiderojnë atë si një sinjal të jetës shoqërore. Studiuesit thanë se eksperimenti i tyre vjen në kontekstin e afërt kur robotët mudn të jenë së shpejti kolegë të njeriut në vendin e punës, mbështetës të aktivitetit klinik, apo dhe në formë shërbëtorësh në shtëpi.
Projekti i tyre i quajtur InStance, trajton çështjen se në çfarë kushtesh njerëzit do të trajtonin robotët si “qenie të qëllimshme”, pra nëse për të shpjeguar apo interpretuar sjelljen e një roboti, njerëzit duhet t’i referohen gjendjeve mendore si besimet apo dëshirat.
Në shumicën e situatave të përditshme, truri i njeriut duhet të përfshihet jo vetëm në marrje vendimesh por dhe në parashikim të sjelljes së të tjerëve.
Në këtë kontekst shikimi është një mjet informativ mbi qëllimet e të tjerëve. Njerëzit shikojnë me vëmendje sytë e të tjerëve, dhe truri reagon fuqimisht kur dikush të shikon ose kthen vështrimin nga një ngjarje apo vendndodhje e caktuar në mjedis. Të gjitha këto studiuesit i hetuan në bashkëveprimin me një robot.
“Robotët do të jetë gjithnjë e më shumë prezentë në jetën tonë të përditshme,” thotë Agnieszka Wykowska, një nga studiueset kryesore të IIT dhe studimit. “Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kuptojmë jo vetëm aspektet teknologjike të ndërtimit të një roboti, por dhe aspektin njerëzor të ndërveprimit njeri-robot”.
Wykowska dhe grupi i saj i kërkoi 40 pjesëmarrësve vullnetarë të luajnë një lojë strategjike me robotin, për të matur sjelljen dhe aktivitetin neural të personave.
Loja strategjike përshkruante një situatë ku dy shoferë drejtojnë automjetin e tyre përballë njëri-tjetrin drejt përplasjes kokë më kokë, dhe rezultati varej nëse një prej tyre dorëzohet dhe tërhiqet, apo vazhdon të ecë drejt.
Studiuesit zbuluan se njerëzit reagonin më ngadalë kur roboti i tyre ‘iCub’ vendoste shikim ‘në sy’ gjatë vendimmarrjes. Reagimet e vonuara të personave tregojnë se shikimi i ndërsjelltë sillte një përpjekje më të madhe konjitive, ose nxitje më të madhe arsyetimi për zgjedhjet e mundshme të robotit iCub.
“Mendoni sikur të luajmë poker me një robot. Nëse roboti të shikon në momentin kur do të bësh lëvizjen e radhës, atëherë vendimi juaj vështirësohet. Truri juaj duhet të angazhojë procese më energjike për t’u përpjekur të ‘injorojë’ shikimin e robotit”, thotë Wykowska.
Rezultatet tregojnë se shikimi robotit “merr kontrollin” e mekanizmave socio-konjitive të trurit të njeriut, duke bërë që ne të reagojmë sikur iCub të ishte vërtet një ‘faktor shoqëror’.
Në këtë sens, “të qenit social” për nje robot nuk është gjithmonë e leverdisshme për njerëzit, pasi ndërhyn me performacën dhe shpejtësinë e vendimmarrjes, edhe nëse ndërveprimi mes tyre mund të jetë në dukje “i pëlqyeshëm”.
Wykowska dhe grupi i saj shpresojnë që zbulimet e tyre të ndihmojnë krijuesit e robotëve të së ardhmes, që aparatet humaniode të shfaqin sjelljet më të përshtatshme në bashkëveprimin me njerëzit, dhe në kontekstet e caktuara.
Ata thanë se kur është nevoja për fokusim në detyrat, si për shembull në kontrollin e trafikut ajror apo pajisja e robotëve me sinjale shoqërore, prezenca e këtyre elementëve mund të kthehet në një pengesë. /medicalxpress.com/ Pergatiti: Andi Lamko/
Top Channel