Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Shëngjini” ku si rezultat kanë rënë në pranga 3 shtetas dhe është sekuestruar një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje, dhe një sasi lënde narkotike canabis sativa.
Policia njofton se dy adoleshentët e arrestuar, 16, 17 dhe 27-vjeç ishin posedues të lëndës narkotike.
“Në zbatim të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve që mbajnë armë zjarri pa leje, atyre që shpërndajnë lëndë narkotike dhe personave në kërkim”, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një hetimi disajavor, u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “ Shëngjini”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: S. Gj., 27 vjeç, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje; L. F., 17 vjeç dhe K. N., 16 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë”, njofton policia.
Shërbimet e Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Shëngjin, Lezhë, pas një hetimi disajavor, kanë ushtruar kontroll në ambientin ku këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgatisnin lëndën narkotike në doza, për shitje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza më lëndë narkotike të dyshuar kokainë, një sasi lënde narkotike cannabis, armë zjarri pistoletë, municion luftarak, peshore elektronike, një sasi lekësh të dyshuara të përftuara nga ky aktivitet i paligjshëm dhe një automjet.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Top Channel