Kryeministri Edi Rama ka vendosur që vendin e Gramoz Ruçit në krye të parlamentit ta zëvendësojë Lindita Nikolla.
Rama: Lindita Nikolla do të marrë stafetën e Gramozin në krye të parlamentit të Shqipërisë si një grua me kontribut të gjatë, si një shembull në krye të çdo detyre, si një shembull i të gjithëve ne që është karakterizuar nga dëshira për dialog të edukuar.
Kujtojmë se Gramoz Ruçi njoftoi largimin e tij nga politika para disa muajsh duke shprehur mirënjohje dhe falënderime ndaj kolegëve të rij edhe atyre që i ka pasur kundërshtarë politikë.
Teksa falënderoi të gjithë qytetarët shqiptarë që e kanë mbështetur, Ruçi theksoi se nëse “nuk kam bërë më të mirën që prisnin qytetarët shqiptarë, kjo ka ndodhur jo se nuk kam dashur apo nuk kam ditur, por nuk kam mundur”.
Ruçi: Kam vendosur t’i jap fund kontributit tim në Kuvend, PS dhe politikë. I jam mirënjohës kësaj force politike, Qarkut të Fierit që më kanë zgjedhur deputet për 8 legjislatura rresht. Do shprehja mirënjohje për të gjithë kolegët deputetë të të gjitha legjislaturave edhe për ata që kam qenë në një kah edhe për atë që kam qenë në kah të kundërt politik.
Por gjithmonë, në këtë sallë dhe përtej saj, në të gjithë jetën dhe karrierën time politike, kam bërë më të mirën për të sjellë zërin, nevojat e zgjidhjet për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse kanë votuar mua, partinë time apo kundërshtarët tanë.
Në garat zgjedhore kam konkurruar me dinjitet dhe sinqeritet. Në Kuvendin e Shqipërisë kam ardhur si shërbyes publik dhe kam kontribuar me përkushtim e integritet.
Nëse nuk kam bërë më të mirën që prisnin qytetarët shqiptarë, kjo ka ndodhur jo se nuk kam dashur apo nuk kam ditur, por nuk kam mundur. Madje, do të thosha, nuk kemi mundur.
Jam i bindur se gjeneratat e reja të politikanëve dhe qytetarëve shqiptarë, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë që do të vijnë në këtë sallë, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar, një vend më të mirë për të gjithë.
Top Channel