Drejtësia amerikane e ka lënë në burg, kapet në Shqipëri shtetasi i huaj i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pritet ekstradimi

01/09/2021 13:31

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, zyra e Interpolit në Policinë e Shtetit, Njësia Hetimore “Jointshield” që funksionon në bashkëpunim DSS dhe OSI në Ambasadën Amerikane dhe me zyrën e  DEA-s Athinë kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Detroit”.

Si rezultat në pranga ka rënë një shtetas i huaj i kërkuar nga drejtësia amerikane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

41-vjeçari ishte kapur në rrugën nacionale Tamarë-Hani i Hotit sepse Gjykata e Michiganit/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin e datës 09.06.2021 i ka vendosur këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

“Pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe kërkimore prej më shumë se dy muajsh, duke analizuar lëvizjet e këtij personi në territorin shqiptar, u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes së tij.

Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Njësia Hetimore “Jointshield” finalizuan operacionin “Detroit”, si rezultat i të cilit u bë e mundur që në rrugën nacionale Tamarë-Hani i Hotit, të kapej dhe të vihej në pranga shtetasi i huaj L. V., 41 vjeç”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim fillimin e procedurave te ekstradimit drejt SHBA-së, sepse Gjykata e Michiganit/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin e datës 09.06.2021 i ka vendosur këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të punuar bashkërisht me partnerët në luftën kundër krimit të organizuar, me qëllim kapjen dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtrojnë këtë veprimtari kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA