Zhvillimet e fundit janë surprizë në politikë pasi Lefter Koka, deputet i PS ka lënë mandatin, por nuk thotë arsyet specifike përse po tërhiqet. Edhe Mark Marku ka vendosur të tërhiqet nga mandati i deputetit ndërsa presioni po rritet mbi ish kryeministrin Sali Berisha.
Analisti Ilir Yzeiri dhe gazetari Bledian Koka kanë folur në “Top Talk” për largimin e Lefter Kokës. Sipas Kokës, fjalimi i kryeministrit Rama para disa ditësh që i bëri thirrje “problematikëve” që të largohen vetë.
Yzeiri: Kokën e njoh si politikan herët dhe në Durrës ka një opinion shumë të mirë. Durrsakët e cmojnë edhe si sipërmarrës të zotin se ka krijuar edhe sipërmarrje që i kanë dhënë jetë e punë durrsakëve. Në publik ka ruajtur profil të ulët dhe largimi i tij në këtë moment është cështje e tij që është përpjekur ta sqarojë në mënyrë të përgjithshme. Atë që thotë sot, dikush mund të mendojë se mund ta kishte bërë para se të futej në garë. Për momentin nuk dimë gjë, mund të ketë arsye që do t’i mësojmë më vonë.
Koka: Në grupin e socialistëve në Durrës do të ketë edhe largime të tjera, të paktën nga informacionet që kam. Është një largim i paralajmëruar edhe këtë e gjejmë tek fjalimi i Ramës kur u bëri thirrje atyre elementëve problematikë që më mirë të largohen vetë, jo t’i japin kosto PS. Mendoj që largimi ka të bëjë me një presion në rritje që vjen nga kryeministri që me atë fjalim gjysmë mafioz, e paralajmëroi largimin e Kokës, por edhe të tjerë.
Ndërsa për Sali Berishën, analisti Yzeiri e cilësoi si “kryemafioz” që jo vetëm nuk duhet të jetë pjesë e parlamentit të ri, por edhe duhet të largohet sa më parë nga politika. Për presionin drejt Berishës, gazetari Koka tha se për aq kohë sa nuk ka prova për asgjë, nuk do të vijë largimi i ish kryeministrit.
Yzeiri: Ne e dimë të gjithë, kemi kryemafiozin apo njeriun që duhet të largohet urgjentisht nga politika, Sali Berisha, i cili nuk ka presion nga PD. Sot i gjithë opinioni është i fokusuar tek ajo që do të ndodhë me PD dhe Sali Berishën. Nuk di të ketë ndonjë dokument apo gjë të shkruar që Koka është i padëshiruar apo i përfshirë në veprimtari kriminale.
Koka: Nuk mund të ketë largime pa prova. Përvec Markut, të gjithë ata që janë larguar nga politika, kemi parë që kanë dalë bishta dhe kanë dalë fakte. Problemi i Berishës, shpallja non grata ka një handikap të madh që është mungesa e provave. Ai mund të jetë kryemafioz, por derisa kjo nuk faktohet, nuk provohet me fakte, me të gjitha akuzat që janë hedhur ndër vite, nuk mund të themi gjë.
Top Channel