Dendias viziton Shkupin/ Vlerëson zbatimin e marrëveshjes së Prespës, flet për bashkëpunimin e ngushtë

01/09/2021 01:21

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dhendias në vizitën e tij të dytë në Shkup gjatë detyrës së tij, ka takuar përveç homologut Bujar Osmani, edhe kryeministrin, presidentin dhe kryetarin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe bisedimet kanë përfshirë marrëdhëniet dypalëshe, zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Prespës, thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Greqia dëshiron dhe mund të jetë aleati më i afërt i Maqedonisë se Veriut dhe miku i saj më i mirë. Si një fqinj i drejtpërdrejtë, ka çdo arsye dhe interes për të siguruar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e vendit tuaj. Ne gjithmonë u themi partnerëve tanë evropianë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të lejohet kurrë të bëhet përsëri fuçi baruti e Evropës”- tha Dhendias.

Dhendias ka shfaqur kenaqësinë për hapat e ndërmarrë në zbatimin e marrëveshjes së Prespës, një prej të cilëve është heqja e tabelës para ndërtesës se Muzeumit Arkeologjik . Ka vlerësuar gjithashtu edhe bashkëpunimin në sektorin ushtarak, që përfshin vëzhgimin e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut, nga pala greke. Nga ana e tij Bujar Osmani ka falenderuar mbështetjen e fortë të Greqisë në fillimin e negociatave me BE.

“Ne folëm për çështjen e perspektivës evropiane të rajonit dhe Maqedonine e Veriut si një model që përmbushi të gjitha kriteret për fillimin e negociatave të pranimit si në kuptimin politik ashtu edhe ekonomik , ky është një test i besueshmërisë së BE -së në rajon”- tha Bujar Osmani.

Vizita e kreut të diplomacisë greke vjen disa ditë pas kritikave nga ish- ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias për vonesën e lëvizjeve diplomatike të Athinës, me referim marrëveshjen e kryer disa ditë më parë mes Shkupit dhe Ankarasë.

I shoqëruar nga zv/ministri i Jashtëm me detyrë diplomacinë ekonomike , Dhendias ka përmendur 120.000 vaksinat që Athina i ka dhuruar Shkupit, nënshkrimin e marrëveshjes për gazin natyror, investimet greke prej 500 mln eurosh , krijimin e 20.000 vendeve të punës si dhe rreth 800 mln euro shkëmbime ekonomike në një periudhë të vështirë të pandemisë.

Por opozita greke ende kritikon qeverinë Mitsotakis që nuk ratifikon në parlament tre memorandume bashkëpunimi mes dy vendeve që burojnë nga Marreveshja e Prespës, duke i shtyrë ato ende, për të kënaqur edhe një pjesë të madhe të partisë konservatore në fuqi që nuk e ka dashur kurrë këtë marrëveshje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA