Shqipëria zhvillon stërvitjen e radhës, Bajrami nuk luan ndaj Polonisë!

31/08/2021 22:54

Përfaqësuesja shqiptare ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në Varshavë në kuadër të duelit kualifikues për Kupën e Botës kundër Polonisë.

Trajneri Edy Reja kishte në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve teksa mori pjesë në këtë seancë edhe i mbrrituri i fundit, mbrojtësi i Romës Marash Kumbulla. Ndërkohë Nedim Bajrami nuk do të mund t’i bashkohet skuadrës që në ndeshjen ndaj Polonisë, për shkak se ftesa për të ka mbërritur tek Empoli vetëm dje, sepse nuk ishte e lejueshme që FSHF të dërgonte ftesë në kohën kur gjyqi në KAS ishte ende i hapur. Në këtë mënyrë me të gjitha gjasat fantazisti 22-vjeçar do t’i bashkohet kuqezinjve në Shqipëri dhe do të bëjë debutimin e tij në takimin ndaj Hungarisë në Elbasan.

Për të qenë sa më pranë ekipit ka mbërritur në Varshavë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit Armand Duka i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku. Trajneri Edy Reja zhvilloi një seancë stërvitore të përqëndruar tek pjesa tekniko-taktike për t’i pasur sa më të qarta idetë e tij në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë këtë të enjte në orën 20:45. Ndërkaq këtë të mërkurë tekniku do të dalë përpara medieve në konferencën e fundit për shtyp në prag të sfidës ndaj Polonisë së Lewandowskit.

Top Channel