Trupat e fundit amerikane u larguan nga aeroporti i Kabulit pak përpara se të përfundonte në mesnatë afati i vendosur nga presidenti Joe Biden për tërheqjen e plotë deri në 31 gusht, që i jep fund konfliktit 20 vjecar të nisur pas sulmeve të 11 shtatorit.
Lufta më e gjatë dhe më e kushtueshme e Amerikës i kushtoi jetën rreth 50.000 civilëve afganë, 2.500 ushtarëve amerikanë, 66.000 ushtarëve dhe policëve afganë, 457 trupave britanike dhe 50.000 talebanëve e luftëtarëve të tjerë rebelë. Ishte një luftë që nuk u fitua, e mbikqyrur nga 4 presidentë amerikanë, e luftuar nga dy breza amerikanësh dhe me një kosto totale prej 2 trilionë dollarësh. Ajo përfundoi me mposhtjen e një superfuqie nga një ushtri gueriel, dhe kolapsin e projektit disa dekadësh të shtetformimin, që u thërrmua i gjithi brenda pak ditësh, thotë AP. Lajmi se nga Kabuli u ngrit dhe fluturimi i fundit amerikan u prit me breshërima kremtuese armësh në mbarë kryeqytetin.
Pak më vonë, gjenerali Kenneth F McKenzie i komandës qendrore amerikane njoftoi zyrtarisht fundin e pranisë ushtarake amerikane në vend. Sekretari i shtetit Anthony Blinken, u shpreh sidoqoftë se angazhimi amerikan do të vazhdojë.
“Ishte një operacion masiv ushtarak, diplomatik dhe humanitar, një ndër më të vështirët në historinë e vendit. Një kombinim i jashtëzakonshëm logjistike dhe koordinimi, në disa nga rrethanat më sfiduese të imagjinueshme.Misioni ushtarak ka mbaruar. Një mision diplomatik ka filluar”.
Megjithatë, SHBA nuk do të ketë ambasadë në Kabul, por do ta zhvendosë praninë diplomatike në Doha të Katarit. Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë se mbi 120 mijë vetë janë evakuuar gjithsej pas marrjes së kontrollit të vendit nga talebanët, përfshirë 1’200 persona të nxjerrë nga vendi me 26 fluturime ushtarake amerikane dhe dy të koalicionit nga e diela deri të hënën.
Top Channel