“Ishte lojtari i parë në historinë e klubit që…”/ Letra përshëndetëse e Juventusit për Cristiano Ronaldon

31/08/2021 11:28

Ylli portugez ishte transferuar në Serie A në vitin 2018 dhe e ndihmoi skuadrën e Juventusit drejt dy “Scuddetove” dhe tani do të rikthehet në Premier Ligën angleze.

Gjiganti italian Juventus i ka dhuruar lamtumirën e fundit Cristiano Ronaldos, ku edhe e kanë konfirmuar marrëveshjen prej 23 milionë eurosh me Manchester United për yllin portugez. 36 vjeçari ka kaluar tre vite me gjigantin e Serie A dhe ka arritur të ngritë dy trofe të ligës, dhe tani ka vendosur që të rikthehet në “Old Trafford” pas dështimeve të fundit të Juventusit në garat evropiane.

Siç raportohej nga shumë media botërore, Ronaldo ishte shumë pranë transferimit tek Manchester City, por “Djajtë e Kuq” ndërhynë në momentet e fundit dhe arritën të sigurojnë transferimin e yllit portugez, përcjell KosovaPress.

Më 10 korrik të vitit 2018, dy ikona të futbollit evropian u bashkuan, Cristiano Ronaldo u bë lojtar i Juventusit. Sot, pas tre vitesh së bashku, pas 133 paraqitjeve dhe 101 golave të shënuar dhe pesë trofeve të fituar, këtij kapitulli i ka ardhur fundi. Rrugët e CR7 dhe Juventusit janë ndarë sot”, shkruante në faqen zyrtare të klubit.

Në atë ditë korriku, kur Cristiano arriti në Torino, ndjenjat elektrizuese të atyre ditëve mund të ndjeheshin në ajër. Tifozët e Juventusit e pritën CR7 si një mbret, me padurim për ta parë në fushë dhe për ta përkrahur. Ka qenë një histori madhështore.

Ai ishte lojtari i parë në histori të Juventusit që ka arritur të shënoj të paktën 100 gola në të gjitha garat në tre sezonet e para me Juventusin, dhe që nga transferimi i tij në Serie A, ai ka shënuar më shumë gola se cilido lojtarë tjetër, gjithsej 81 sosh, të paktën 10 më shumë se lojtarët e tjerë.

Sot, kjo lidhje e cila kishte lindur më 10 korrik, tre vite më parë, tani është shpërbërë, por çfarë është shkruar si histori do të mbetet përgjithmonë. Ka qenë një aventurë e mahnitshme”, shkruante më tej në letrën e Juventusit.

Cristiano Ronaldo do ta kompletojë transferimin e tij nga Juventusi tek Manchester United ditëve në vijim, ku marrëveshja mes dy klubeve është arritur, dhe gjiganti anglez do të paguajë një dëmshpërblim prej 15 milionë eurosh plus 8 milionë sosh në formë bonusesh.

Top Channel