Tmerr nga Brazili/ Banda e grabitësve të 3 bankave lidhin pengjet si ‘mburojë’ jashtë makinave të arratisjes (fotot)

30/08/2021 15:23

Një bandë me dhjetra grabitës mizorë bankash kishin lidhur mbrëmë pengje civile jashtë makinave të tyre arratisjes gjatë një fushate grabitjesh të dhunshme ku u vranë të paktën tre njerëz.

Ne ngjarjen që ka shokuar vendin, banda prej rreth 20 grabitësish të armatosur me automatikë, bomba e dronë besohet se kanë grabitur 3 banka në qendër të qytetit Araçatuba, 290 milje larg Sao Paulo, duke nisur prej mesnatës, shkruan britanikja Daily Mail.

Banditët sulmuan gjithashtu stacionin lokal të policisë dhe bllokuan rrugët drejt qytetit duke përdorur makina në flakë, para se të merrnin peng vendasit për t’i kthyer në mburoja njerëzore.

Në pamje e publikuara shiheshin sulmuesit që detyronin pengjet e tyre të ecnin në linjë në qytet, para se t’i lidhnin në catitë e makinave të tyre teksa largoheshin.

Të paktën tre njerëz u vranë gjatë sulmeve, duke përfshirë dy civilë dhe një grabitës, sipas mediave braziliane, kurse dy persona ishin arrestuar.

Fati i shumicës së pengjeve, duke përfshirë dhe ata të lidhur nëpër makina, mbetet ende i paqartë. Një grua i tha gazetarëve se ishte marrë peng nën kërcënimin e armës dhe e kishin hedhur në një kamion, nga i cili më pas kishte shpëtuar.

Gruaja tha për rrjetin vendas G1: “Ne po ktheheshim nga një festë. Ata ndaluan makinën dhe na shtrinë përtokë, më pas në hodhën në një kamion, na morrën peng”.

“Gjatë rrugës ne vetëm luteshim. Ata na ndaluan te banka, më vunë armën në fytyrë, ndërsa unë i lutesha për jetën. Falë Zotit arrita të arratisem dhe shkova në një hotel. Kishin automatikë R15 e AK 47”.

Qyteti është vendosur tashmë nën shtetrrethim prej bombave të pashpërthyera të lëshuara në rrugët e qytetit nga sulmuesit.

Në një prej fotove duket një mjet i sofistikuar shpërthyes i lënë në rrugë, i pajisur me atë që dukej si një sensor afërsie, që do të thotë se shpërthen nëse dikush i afrohet.

Grabitësit fillimisht morën peng katër makina dhe i dogjën ato për të bllokuar rrugët.

Ata sulmuan më pas filialet e bankave Banco do Brasil, Banco Safra e Caixa Econômica, duke marrë sasira të panjohura parash, thonin mediat.

Më pas kishte nisur marrja e pengjeve njerëzore, disa prej të cilëve u lidhën në anën e jashtë të automjeteve për t’u përdorur si mburoja njerëzore.

Të paktën katër njerëz u goditën nga plumbat e banditëve, raportonte Folha de Sao Paulo , pa dhënë informacion mbi gjendjen e tyre.

Kryebashkiaku i Araçatuba, Dilador Borges, tha se policia ishte detyruar të tërhiqej prej frikës së lëndimit të civilëve.

Forcat e sigurisë raportohet se kanë marrë tashmë kontrollin e qendrës së qytetit, por nuk është i qartë fati i pengjeve.

Pamje të marra nga kamerat e sigurisë tregojnë karvanin e makinave që besohet se janë grabitësit.

Një sulm i ngjashëm kishte ndodhur korrikun e kaluar në qytetin brazialian të Botucatu kur 40 sulmues të armatosur grabitën tre banka të qytetit, duke shkatërruar një prej tyre me eksplozivë,  duke marrë pengje e duke luftuar me policinë.

FOTO GALERI
2/7
Pengjet detyrohen te ecin te kapur per dore ne rruge

Top Channel