Shifrat alarmante në Kosovë/ Nga dita e nesërme, ambulancat në QKUK do të shërbejnë vetëm për pacientët me Covid-19

30/08/2021 13:33

Prania e variantit “Delta” ka rritur shifrën e rasteve të reja dhe viktimave në Kosovë, ndaj Komiteti ka vendosur që ambulancat specialistike në QKUK të shërbejnë vetëm për pacientët me Covid-19.

Ky vendim hyn në fuqi që prej datës 31 gusht, ndërsa qytetarëve iu kërkohet që të shkojnë në spitalet rajonale vetëm për raste urgjente.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i  Kosovës,  njofton të gjithë qytetarët se për shkak të rritjes së numrit të spitalizuarve me COVID-19,  në klinikat e QKUK-së, me Vendim të Komitetit për ngritje të gatishmërisë dhe menaxhimit të situatës me COVID-19, nga data 31 gusht 2021, pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në QKUK. Hapësirat e ambulancave specialistike do të shërbejnë për spitalizim të pacientëve me COVID-19.

ShSKUK, kërkon falje dhe mirëkuptim nga pacientët duke iu siguruar se menaxhmenti i ShSKUK-së është duke bërë të pamundurën për t’iu ofruar shërbimin shëndetësor të gjithë pacientëve në nevojë”, thuhet në njoftim.

Nuk mungon apeli për vaksinim dhe respektim të masave anti-Covid në mënyrë që të kalojë sa më shpejt kjo situatë. Ditën e djeshme, autoritetet në Kosovë raportuan se 36 persona humbën jetën si pasojë e covid dhe u shënuan 1.630 raste të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA