Për shkak të covid-19 pezullohet kampi stërvitor i Real Madridit në Kosovë

30/08/2021 17:27

Nga data 30 gusht deri më 10 shtator ishte planifikuar zhvillimi i një kampi stërvitor që do të mbahej në Kosovë falë bashkëpunimit ndërmjet klubit të basketbollit Prishtina dhe atij spanjoll të Real Madridit.

Në këtë kamp do të merrnin pjesë të rinjtë nga mosha 6 deri 18-vjeçar, por kryetari i KB Prishtinës, Burim Maraj ka njoftuar se ky aktivitet është pezulluar për shkak të situatës më pandeminë covid-19.

Pas disa muajve entuziazmi, përkushtimi dhe përgatitje deri në detajet më të vogla që puna në kamp të fillojë sipas standardeve të kërkuara nga Kampi i Real Madridit, sot më shumë keqardhje ju informojmë se për arsye të gjendjes aktuale me pandeminë covid-19 dhe masave të tjera të shpallura nga Ministria e Shëndetësisë, në koordinim më organizatën STE jemi të detyruar që ta pezullojmë Real Madrid Training Camp deri në njoftimin e ardhshëm”, tha Maraj.

Maraj ka thënë se ky lajm është shumë zhgënjyes si për pjesëmarrësit ashtu edhe për të gjithë basketbollistët, por ruajtja e shëndetit është parësore.

“Jam i vetëdijshëm që kjo është zhgënjyese sikurse për ne ashtu edhe për ju dhe për pjesëmarrësit dhe për basketbollistët, mirëpo këto rrethana që po i përjetojmë si popull ne jemi të përkushtuar në ruajtjen e shëndetit të fëmijëve tanë. Andaj dëshiroj ta shfrytëzoj rastin që t’ju ftoj të gjithëve që të vaksinoheni dhe ushtroni kujdes maksimal në këto kohë të vështira. Ne do të qëndrojmë të përkushtuar në organizimin e eventeve të ngjashme në të ardhmen dhe shpresoj që së bashku do ta tejkalojmë këtë situatë”, ka thënë Maraj.

Top Channel