Kuqezinjtë stërviten nën rrebesh/ Reja pret edhe Nedim Bajramin

30/08/2021 22:44

Kombëtarja Shqiptare hyri në ditën e dytë të përgatitjeve në prag të ndeshjes me Poloninë në eliminatoret e Botërorit, Katar 2022.

Nëse te kuqezinjtë atmosfera ishte e qeshur nuk mund të thuhet e njëjta gjë për motin, teksa kryeqyteti i polakëve është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut gjatë gjithë ditës.

Trajneri Edi Reja pati grupin e plotë, përjashto Kumbullën, që pas ndeshjes me Romën erdhi vetëm në mbrëmje në ekipin kombëtar, ndërsa në seancën stërvitore të pasdites ishte edhe sulmuesi i Barcelonës, Rey Manaj, që iu bashkua menjëherë grupit.

Si zakonisht trajneri Reja zgjodhi një seancë pa ngarkesë të madhe fizike, për shkak të impenjimeve që një pjesë e futbollistëve kanë pasur me klubet e tyre në fundjavë.

Ernest Muçi, njeriu i shtëpisë, duke qenë se luan te Legia e Varshavës, pati një seancë stërvitore të diferencuar në fillim. Ndërkohë që pas ushtrimeve, trajneri Reja u mbyll me ekipin për të hyrë më në detaje për sfidën e radhës, atë të datës 2 shator ndaj Polonisë që do të luhet në stadiumin e Varshavës.

Vlen të theksohet se kuqezinjtë janë ende në pritje të fantazistit të Empolit, Nedim Bajrami, që mori dritën jeshile për të përfaqësuar kombëtaren shqiptare dhe pritet të vihet nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja./ SuperSport

Top Channel