Autoblinda dhuratë Kosovës/ 55 mjetet me vlerë do përdoren nga FSK

30/08/2021 19:52

Shtetet e Bashkuara të Amerikës  i dhuruan  Kosovës  55 automjete autoblinda.

Në ceremoninë e dorëzimit, të ASV (Armored Security Vehicle), presidentja Vjosa Osmani shprehu mirënjohjen ndaj presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe ndaj popullit amerikan.

Osmani tha se mjetet ushtarake thellojnë edhe më tej ndërveprimin ushtrisë së Kosovës me ushtritë aleate.

“Këto pajisje të cilat janë karakteristikë për terrene të vështira dhe kanë rezistencë efikase ndaj goditjes së predhave do të u mundësojnë juve që veprimet tuaja në ruajtjen e paqes t’i zgjeroni e t’i shtrini gjithandej kudo të ju kërkohet. Shpresoj që faza e ardhshme e ngritjes së kapaciteteve të përfshijë edhe helikopterët shumë të nevojshëm për ushtrinë tonë e për shtetin tonë, të cilët përtej ofrimit të kapaciteteve mbrojtëse, do të shërbejnë edhe për të shpëtuar jetën njerëzish në rast të emergjencave, ose katastrofave humanitare, sikurse janë ato që pasojë nga ndryshimet klimatike. Prandaj edhe këtu e shfrytëzoj rastin që të kërkoj ndihmën e aleatëve tanë për t’u pajisur në këtë mënyrë edhe forca jonë.

Mbështetja me automjete të blinduara nga ShBA për Forcën e Sigurisë së Kosovës është vetëm njëra nga shumë fusha ku Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe popullit tonë”.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për blerjen e katër dronëve për nevoja të FSK-së në vlerë rreth 11 milionë euro. Pajisja e FSK-së me automjete ushtarake është pjesë e procesit të tranzicionit, të cilin e ka filluar në dhjetor të 2018-ës kur Kuvendi i Kosovës votoi për ndryshimin e mandatit të FSK në ushtri në një proces 10 vjeçar

Top Channel