Qyteti Studenti ka nisur të popullohet me banorët më rinj që janë 154 shtetas afgan mbërritur në vendin tonë mëngjesin e kësaj të shtune.
Ata janë vendosur në godinat 11-12 në mënyrë që të kenë afër menzën dhe qendrën shëndetësore.
Pas akomodimit në dhoma e pak orë çlodhje, të shoqëruar nga stafi Bashkisë së Tiranës iu drejtuan menzës së qytetit studenti.
Është mëngjesi i tyre i parë në Shqipëri. Janë të grupmoshave të ndryshme. Prindërit mbajnë në duar fëmijët duke kaluar nga njëri cep i rrugës në tjetrit.
Miqtë e SHBA dhe të Shqipërisë tashmë, shfaqen edhe në dritaret e godinës 11 me telefona në duar duke i treguar miqve nisjen e jetës së re.
Ka edhe nga ata që kanë zgjedhur shkallët e emergjencës për të tymosur një cigare.
Megjithatë takojmë dhe bisedojmë me Rashid Ahmad Azimin, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën.
“Ne sot jemi të relaksuar. Faleminderit Shqipërisë për koordinimin dhe të ndihmuarin që ne të jemi gjallë. Unë në Afganistan kam punuar ti teknolog ushqimesh për një kompani që prodhonte ujë mineral. La pas një situatë shumë të rëndë. Nëna ime dhe vëllezërit janë ende atje. Mbrëmë ne mbërritëm këtu dhe mëndja ime nuk ishte e qetë. Se çfarë do të bëjmë për të ardhmen do të vendosim në vazhdim nëse do të qëndrojmë këtu apo do të dalim nga Shqipëria”.
Lima, bashkëshortja e Rashidit tregon së në Afganistan ka punuar në një departament të ish qeverisë për çështjet e agrikulturës:
“Unë jam e gëzuar për veten time dhe familjen që erdhëm këtu por më mungojnë prindërit dhe atdheu im. Ishte e vështirë për ne ta linim Afganistanin, të linim atje familjet dhe prindërit në atë situatë. Nuk e di çfarë do të na ndodhte nëse vijonim se jetuari atje. Isha e vogël kur prindërit më thoshin se Talibanët nuk ishin njerëz të mirë dhe nuk na lejonin ne vajzave të shkonim në shkollë dhe gratë të punësoheshin. E lamë Afganistanin pasi duam që vajza jonë të rritet e lirë. Të studiojë e të ketë një jetë të mirë. Jo si jeta jonë. Ne jemi këtu vetëm për vajzën. Jemi të kënaqur me akomodimin dhe çfarë na është ofruar këtu. Faleminderit”.
Id Muhamed Hashmi tregon për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, se si ndjehet tani që është në Shqipëri. Na shpjegon se çfarë pritet të ndodhë në vendin e tij tashmë nën pushtetin e talebanëve:
“Ndjehem shumë mirë me të vërtetë shumë mirë. Moti është i mirë këtu. Mundëm të dilnim nga Afganistani. Unë kam punuar atje për USA AID si menaxher për komunikimin. Kam lënë pas vëllezërit dhe motrat bashkë me prindërit. Kjo është familja imë që mundëm të shpëtonim e dilnim nga atje. Situata që lamë ishte shumë e tensionuar. Nuk e dimë çdo të ndodhë në të ardhmen. Është mundësia e një lufte civile atje gjë e cila na kthen 20 vite pas në kohë, e do të prodhojë me mijëra refugjatë. U arritën shumë gjëra këto 20 vite, por në vetëm pak momente u shkatërrua gjithçka”.
Natyrshëm banorët e qytetin studenti janë kurioz të dinë më shumë për këta qytetarë afgan me të cilët do të duhet të bashkëjetojnë në muajt në vazhdim.
Për momentin vetëm godina 11 është mbushur me kapacitet të plotë ndërsa ajo 12 është gati për të mik-pritur kontigjenin e tretë të qytetarëve afganë që mund të mbërrijnë mbrëmjen e kësaj të shtune ose ditët në vijim.
Top Channel