Një modele e rrjeteve sociale ka humbur jetën gjatë një operacioni estetik në hundë në një klinikë luksi pas një “reaksioni fatal ndaj anestezisë”.
“Influencuesja” 31 vjeçare Marina Lebedeva, kishte kërkuar procedurën e rinoplastisë që kushtonte rreth 5000 dollarë, për të korrektuar formën e hundës së saj, thonë mediat lokale.
Por gjatë operacionit në klinikën e njohur ruse, temperatura e saj u rrit si rezultat i reagimit të ashpër ndaj anestezisë.
E reja humbi jetën teksa mjekët përpiqeshin ta shpëtonin në klinikën Artibeaut në Shën Petersburg.
Klinika private thirri menjëherë ambulancën kur kuptuan problemet, por pacientja nuk arriti të mbijetonte.
Një video e regjistruar e procedurës po përdoret si provë nga autoritetet, për hetimet e neglizhencës mjekësore.
Bashkëshorti i modeles u kthye me urgjencë kur mësoi për ngjarjen e rëndë, dhe tashmë po kujdeset për djalin e tyre të vogël.
Drejtori i klinikës Alexander Efremov tha se pacientja kishte kaluar shumë teste para procedurës, e cila ishte kryer nga mjekë me kualifikime të larta.
Ai shtonte se vdekja e saj mund të ketë ardhur nga gjendje të caktuara gjenetike.
“Një hetim mjeko-ligjor është duke u kryer por ne kemi kryer operacionin sipas të gjitha standardeve të kërkuara. Nëse ka ndodhur ndonjë shkelje do të ishte rasti i parë”, tha ai.
Hetimet vazhdojnë.
Top Channel