“Kaloni po ua mbajti”, Rusia kërcënon luftanijet britanike në Detin e Zi!

27/08/2021 17:04

Rusia i lëshoi një kërcënim Mbretërisë së Bashkuar duke thënë se do t`ua bëjë :shumë të vështirë” luftanijeve të saj kalimin nëpër Detin e Zi.

Ambasadori rus në Londër, Andrei Kelin, përmendi incidentin me luftanijen HMS Defender gjatë lundrimit të saj në ujërat pranë Krimesë qershorin e këtij viti. Ministria angleze e mbrojtjes i ka kundërshtuar pretendimet e Moskës se pati “të shtëna paralajmëruese” ndaj anijes luftarake, e cila sipas tyre thjesht po kryente një “kalim të pafajshëm përmes ujërave territoriale ukrainase në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Kelin tha se ai nuk ishte aspak një “kalim i pafajshëm”, por një demonstrim force. “Ne nuk kemi thënë se do hapim zjarr, siç mund të kenë deklaruar disa parlamentarë, por herën tjetër do të jetë shumë më e vështirë për britanikët që të kalojnë në atë zonë, sepse kjo nuk është hera e parë që një luftanije angleze e bën një gjë të tillë”, u shpreh ai.

Presidenti rus Vladimir Putin më herët e quajti incidentin me HMS Defender një “provokim”. Moska pretendon se ujërat pranë Krimesë janë pjesë e territorit rus, por Britania e Madhe thotë se anija ishte në një rrugë tranziti të përdorur rëndom dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA