Nga Anila Hoxha
I fundmi kryeplak i arrestuar është ai i fshatit Bajzë në Malësinë e Madhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës meqenëse nuk tregoi që një banor aty përreth kishte mbjellë drogë. Gjuetia ndaj kryepleqve për të goditur fenomenin e kultivimit të hashashit përsëritet e riciklohet pambarimisht vitet e fundit, ashtu si ligji e kërkon gërmë për gërmë. Por, megjithë tringëllimën e prangave vetëm tek ata, asnjëherë nuk i është shkuar problemit të kanabizimit, aty ku vërtet duhet të trajtohet.
A ka ndonjë masë për një radhë të gjatë institucionesh që janë direkt përgjegjëse për ruajtjen, parandalimin dhe goditjen e kultivimit të drogës. Ku janë agjentët e Shërbimit Sekret, a kanë ndonjë informacion ata që do të mund ta referonin dhe do të ishte i vlefshëm për malet e fushat e mbjella me kanabis sativa? Ku është inspektori i zonës? Policia lokale, kriminale, antidroga, dronët, policia inteligjente, policia speciale? Që kur lufta ndaj drogës është përgjegjësi vetëm e një kryeplaku, që tek e fundit jeton në atë komunitet, dhe që siç u shpreh gjykata për kryeplakun e Pagrisë ku u zbuluan dhjetra ton me drogë të transportuar nga një rreth tjetër, dhe në rast se i dëgjoi makinat që po shkarkonin drogë, ku duhet të raportonte kur ai nuk kishte besim?
Te kush do të raportojnë kryepleqtë, kur policët e shefat e tyre shfaqen duke pirë e ngrënë më trafikantë që iu plotësohen tekat ? A është një kryeplak me imunitet kaq të fuqishëm sa në fshatin ku ai jeton, në malin apo në fushën e vendlindjes sapo të rrëfejë një dyshim të arsyeshëm apo jo, ekzistojnë shanset që ai të mos tradhëtohet? Le të besojmë që kështu është, megjithëse kryepleqtë vetë më tregojnë se si një qark i tërë me vetëm dy dronë, orientohej për kontrollin e sipërfaqeve të mbjella pikërisht duke kontrolluar sipas tekave të dronistit aty ku nuk kishte bimë narkotike. Derisa edhe dy dronët u prishën.
Çfarë thotë ligji për detyrat e kryeplakut? Një kryeplak i paguar simbolikisht dhe në mbështetje të funksioneve vetë qeverisëse në të vërtetë kujdeset për sigurimin e harmonisë sociale në fshat, zonë, lagje; për përdorimin e burimeve të përbashkëta, për parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin ujor, administrimin e varrezave dhe ruajtjen e pyjeve dhe kullotave.
Vitet e fundit ligji e ngarkon atë edhe me detyrimin për të raportuar me shkrim, për çdo rast të vërejtjes apo marrjes dijeni për kultivim të bimëve narkotike, në të kundërt ai procedohet si subjekt që ka shpërdoruar detyrën. Dhe në zbatim të këtij ligji, policia kap kultivues dhe kap kryepleq. Prokuroria kërkon detyrim paraqitje e gjykata liron. Sepse nuk vërtetohet shpërdorimi. Megjithatë, kur të vijë çasti i statistikave ata do të numërohen si arritje serioze në luftën antikanabis.
Kjo verë dërgoi në pranga, pikërisht sepse policitë lokale pretendojnë se morën dijeni dhe nuk treguan apo nuk raportuan për raste të kultivimit të drogës, 10 kryepleq. Nga jugu në veri, Shkodër, Skrapar, Berat, Tiranë , Vlorë. Që të dhjetë , me përjashtim të kryeplakut të Kaninës që iu zbulua drogë në shtëpi, shkuan nën masa të lehta pasi gjykatat vlerësojnë se nuk ka asnjë provë që vërteton shpërdorimin e tyre, ose moskallzimin e krimit.
Epo dikush e ka gabim në këtë cikël, ose ka sikur nga paaftësia, ose sikur-ja ndodh me qëllim. Më herët, është tentuar kjo goditje duke arrestuar kryepleq të Plan, Skuraj, Rrërës, deri tek arritjet e këtij viti të prangosjes së kryepleqve në Cacabes,Gurekalis, Zhitom, Mendrak , Bucaj apo edhe Qafëmollë. Të gjithë ata thonë një frazë të përbashkët dhe të njëjtë “ territori është malor, nuk i kontrollojmë dot malet’.
Kështu deklaroi edhe kryeplaku i Qafëmollës, që iu kërkua llogari se përse ai nuk e dinte që në mes të pyllit, një i ri nga Tirana kishte mbjellë 25 rrënjë drogë.
“Jam roje”, tha ai “dhe punoj me turne, nuk i kontrolloj dot malet dhe territorin e gjerë”. Ai doli pa një mëdyshje nën masën detyrim paraqitje dhe prapë e prapë gjuetia vazhdon.
Policia i është turrur kryepleqve, e dështuar që humbi marrëdhënien me publikun, me qytetarin, me informatorin që duhet të rrëfehej tek ajo për tipat e çuditshëm, të huajt që hyjnë nëpër fshatra me makina të çuditshme, që punësojnë skuadra që të hapin shkurre e të mbjellin jeshilen. Dhe policia kërkon të na tregojë se gjithë këtë organizim duhet të na i tregojë kryeplaku, i ri apo plak qoftë që paguhet 6 mijë lekë krejt simbolikisht? Shumë fshatrave, policia u ka kapur përfaqësuesin lokal, bash për dyshime droge dhe bash për mungesë totale provash ata dalin të lirë.
Por, në jug të vendit , fshati Kuç i Labërisë, me male tejpërtej dhe të larta sikur do kapin Olipmin ka mbetur pa kryeplak për një arsye tjetër .
Nuk e kanë arrestuar kësaj radhe.
E provoi vitin e kaluar këtë eksperiencë dhe doli nga paraburgimi me të njëjtën konsideratë si të tjerët në dhjetra fshatra të Shqipërisë.
Edhe në Kuç droga gjelbëronte siç dukej.
I lodhur nga kjo tollovitje dhe ngarkesë mbi shpinë, Veip Lalaj, 49 vjeç mori vendimin e beftë kur pa se iu sos durimi dhe krenaria e labit nuk mbante më. Më tregon se e dorëzoi vulën pikërisht për shkak të hashashit, pasi sipas tij policia e mësuar të trokasë në dyer kryepleqsh do i rikthehej në shtëpi.
“Fshati më zgjodhi në 2019, duhet të punoja për fshatin. Problemin e shtrova gjatë një takimi në Vranisht. I thashë, o ti prefekt, ç’borxh kam unë me drogën, nuk i kontrolloj dot malet, shikoni ligjin thashë” .
Kur nuk mori asnjë përgjigjje, kupa e tij u mbush.
“Indicia ishte se në fshatin Corraj kaloi policia dhe më tha hajde nesër në Himarë . Shkova por jo në polici, shkova në Bashki dhe dorëzova vulën”, më rrëfehet labi.
Për të shkuar në Kuç duhet të udhëtosh mespërmes një gjerdani fshatrash të Labërisë. Të gjithë kryepleqtë presin trokitjen ashtu si Veip Lalaj, banor i Kuçit dhe deri dje kryeplak.
Ai e dorëzoi dhe më thotë “Dua te fle gjumë rehat, vjen policia hajde jep deklaratë, ku ta gjej unë, ku ta di unë se çfarë është bërë në male”.
Janë pikërisht ato male që lebërit ju ngjajnë. Shumë krenarë për të lejuar braktisjen e fajit në derën e tyre.
Ndërkohë në Kuçin ku kryeministri bëri parashikimet e zgjedhjeve që lamë pas, mbulesa e shkruar prej tij është varur në mur si një dekoratë me te cilën mburren. Sakaq vula që përfaqëson ata për ujin, dritën, malin , fushën dhe varrezat ku prehen të vdekurit është dorëzuar.
Le ta besojmë që u dorëzua pa asnjë shkak dhe jo nga droga.
Top Channel