CR7 e mbyll me Juventusin, kalimi te Manchester City çështje orësh!

27/08/2021 12:47

Mes Juventusit dhe Cristiano Ronaldos ka përfunduar gjithçka.

Ylli portugez po përjeton orët e tij të fundit si futbollist i bardhezinjëve teksa pas 3 sezonesh me Juven ka vendosur të largohet nga Torino edhe pse ka ende edhe një vit kontratë me Zonjën e Vjetër. Vizita e papritur në Torino e agjentit të famshëm të CR7-ës Jorge Mendes ka sjellë një tërmet të vërtetë në shtëpinë bardhezi, pasi Mendes u ka bërë me dije drejtuesve të Juves se Ronaldo do t’i braktisë në këtë merkato verore. E ardhmja e 5-herë fituesit të Topit të Artë do të jetë në Premier League sërish në qytetin e Manchester-it por në anën blu të tij, me Manchester City-n që është klubi i vetëm në garë që kërkon shërbimet e 36-vjeçarit. Për të ndërruar ambient Ronaldo ka vendosur të përgjysmojë edhe pagën teksa te Manchester City do të përfitojë 15 milionë euro në sezon ndërsa do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon të tretë.

Problemi i vetëm për të zgjidhur ka të bëjë me vlerën e kartonit të luzitanit, pasi Juventusi kërkon minimalisht 25 milionë euro për kartonin e tij ndërkohë që Manchester City nuk kërkon të shpenzojë asnjë cent por dëshiron ta marrë me kosto zero në Etihad. Por edhe ky ngërç do të zgjidhet në orët e ardhshme pasi për largimin e Ronaldos nga Juventusi tashmë mungon vetëm zyrtarizimi, duke patur parasysh faktin që CR7 edhe pse u paraqit në Continassa këtë të premte nuk u stërvit me Juventusin ndërkohë që në përfundim të seancës u përshëndet edhe me shokët e skuadrës, një shenjë tjetër kjo e lamtumirës së tij nga bardhezinjtë me destinacion Manchester City-n. Paris Saint Germain klubi tjetër që përflitej se kishte interes për Ronaldon është tërhequr nga gara me Jorge Mendes-in që ka marrë një jo të prerë nga drejtori sportive i francezëve Leonardo ndërkohë që edhe presidenti i PSG Nasser Al-Khelaiffi ka konfirmuar gjithçka.

Ndërkohë mediat ndërkombëtare zbulojnë se ka patur edhe një kontakt telefonik mes Pep Guardiolës dhe Cristiano Ronaldos. Dëshira e trajnerit spanjoll ishte të kishte në skuadrën e tij Harry Kane, por në pamundësi për të firmosur me yllin anglez Pep ka pranuar të afrojë në skuadër 36-vjeçarin portugez i cili edhe pse nuk është profili i preferuar për Guardiolën do t’i duhet ta përshtasë me skemat e tij. Me kalimin te Manchester City, Ronaldo do të ketë edhe një tjetër problem pasi do të ngjallë urrejtje te tifozët e Manchester United të cilët e konsiderojnë këtë transferim një tradhëti nga ana e portugezit për të shkuarën që ka patur te Djajtë e Kuq.

Top Channel