Vendi më i vaksinuar i botës, rekord rastesh me koronavirus!

26/08/2021 13:22

Për herë të parë që nga mesi i janarit, Izraeli, vendi ndoshta më i vaksinuar i botës regjistroi mbi 10,000 raste të reja me koronavirus.

Shifrën e raportoi ministria izraelite e shëndetësisë, sipas të cilës po në harkun e 24 orëve u shënuan dhe 25 vdekje. që prej fillimit të pandemisë, në Izrael – një vend me 9.4 milionë banorë – janë infektuar mbi një milion njerëz. Fushata e vaksinimit atje nisi dhjetorin e vitit të kaluar. Deri tani, 59 për qind e popullsisë është vaksinuar dy herë dhe gati 19 për qind, ka marrë dhe dozën e tretë.

Izraeli mbështetet thuajse plotësisht në vaksinën Pfizer/BioNTech. Në fund të korrikut, ai u bë vendi i parë në botë që nisi vaksinimin me dozën e tretë, për të rritur reagimin e antitrupave. Masa u mor pasi të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë treguan një rënie të ndjeshme të efikasitetit të vaksinës në parandalimin e infeksionit, edhe pse ajo vazhdon të ofrojë mbrojtje të madhe nga të sëmurit rëndë.

Disa vende të tjera kanë nisur të ndjekin shembullin e Izraelit sa i përket dozës së tretë. Mediat italiane thonë sakaq se nga 515 pacientë të shtruar në spital në gjendje të rëndë në shtetin hebre, 301 janë krejtësisht të vaksinuar. Në përgjithësi , gati 60% e të shtruarve në këtë vend janë të vaksinuar, megjithatë sipas ekspertëve kjo nuk ka të bëjë me efikasitetin e vaksinave por me moshën, pasi përgjithësisht të vaksinuarit janë në moshë të madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA