Në përditësimet e fundit mbi sulmin tragjik në aeroportin e Kabulit në Afganistan, thuhej se 40 njerëz kanë gjetur vdekjen, mes të cilëve katër marinsa të ushtrisë së SHBA.
E përditshmja britanike Daily Mail shkruante se grupi xhihadist ISIS-K besohet se është përgjegjës i dy shpërthimeve në portën lindore të aeroportit, ku qindra afganë prisnin me shpresë për evakuim.
Katastrofa erdhi pak pasi zyrtarët ushtarakë perëndimorë kishin marrë paralajmërime për sulm terrorist gjatë përpjekjeve kaotike të evakuimeve.
Pas sulmit vendet e NATO-s, përfshi dhe Danimarkën, kanë ndaluar evakuimet ndërsa hyrjet e aeroportit janë të bllokuara nga trupat amerikane.
Zyrtarët Talibanë thanë se rreth 40 njerëz kanë gjetur vdekjen nga dy shpërthimet e aeroportit.
Shpërthimi i parë ishte shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës në portën e aeroportit para hotelit Barons ku qëndrojnë trupa ushtarake, gazetarë e zyrtarë të OKB.
Ajo që pasoi ishte zjarr armësh dhe panik masiv, para se një shpërthim i dytë të godiste akoma më rëndë turmën e afganëve të mbledhur në portën e hyrjes së aeroportit Hamid Karzai.
Të paktën katër marinsa të SHBA raportohet se janë mes viktimave.
Kryeministri britanik Boris Johnson tha pak më parë se shpërthimet vrasëse nuk do të pengojnë evakuimet.
Imazhet nga vendngjarja tergonin trupa viktimash në rrugë dhe të plagosur që merreshin me karroca apo mjete të tjera rrethanore për t’u shpëtuar.
Burime të emergjencës thonin se të paktën 60 njerëz ishin dërguar në spital dhe gjashtë njerëz kishin vdekur rrugës për atje.
Top Channel