Jorginho e Tuchel nderohen nga UEFA si më të mirët e sezonit

26/08/2021 22:53

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga burime brenda UEFA-s, mesfushori italo-brazilian Jorginho është shpallur futbollisti më i mirë i sezonit, çmim të cilin e mori zyrtarisht në mbrëmjen gala të hedhjes së shortit të Ligës së Kampionëve, në Stamboll.

Mesfushori fitoi Ligën e Kampionëve dhe Superkupën Europiane me Chelsea-n, si dhe Kampionatin Europian me Italinë, trofe të cilët e ndihmuan të renditej para Kante e De Bruyne, të cilët ishin rivalët e tij për këtë çmim.

E nëse futbollisti i sezonit shkoi për Jorginhon, edhe çmimi trajneri i sezonit shkoi sërish te Chelsea, pasi e mori trajneri gjerman Thomas Tuchel, i cili mori drejtimin e londinezëve vetëm në dhjetor, por i udhëhoqi ata drejt një suksesi të jashtëzakonshëm, teksa theu në garë Roberto Mancinin dhe Pep Guardiolën.

Fituesit e këtyre çmimeve u përzgjodhën nga një juri e përbërë nga 24 trajnerët e përfaqësueseve që garuan në Euro 2020, 80 trajnerët e klubeve që morën pjesë në fazën e grupeve të edicionit të kaluar të Champions dhe Europa League, dhe 55 gazetarë, përfaqësues të 55 shteteve anëtare të UEFA-s.

Pjesëmarrësve në votim u është kërkuar të vlerësojnë me 5, 3 dhe 1 pikë, tre emrat e tyre të preferuar, ndërsa trajnerëve nuk u është lejuar të votojnë për veten, apo për futbollistët që kanë në ekipet përkatëse./ SS

Top Channel