Dardan Krivaqa i është nënshtruar fazës së karantinimit dhe po qëndron i vetëm në paraburgim, ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Sqarimi vjen pas disa lajmeve në mediet kosovare, ku shkruhej se “Dardan Krivaqa u rrah nga të burgosurit e tjerë në paraburgim”.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se, personi në fjalë pas pranimit në BSL menjëherë i është nënshtruar fazës së karantinimit, ku po qëndron i vetëm në dhomë dhe nuk ka asnjë kontakt me të burgosurit e tjerë”, shkruhet në njoftim.
Krivaqa dyshohet se vrau partneren, me të cilën bashkëjetonte prej dy muajsh. Marigona Osmani u la para spitalit të Ferizajt, pa shenja jete dhe me fraktura të rënda në trup.
Dyshohet se Krivaqa e kreu krimin, në bashkëpunim me shokun e tij, Arbër Sejdiu. Hetimet vazhdojnë, ndërsa paraprakisht për të u caktua masa e sigurisë, paraburgim për një muaj.
Krivaqa njihej si njeri problematik dhe me precedentë penale. Ai dyshohej për 11 raste grabitjeje, 93 raste vjedhjeje të rëndë, 1 rast dhunimi, pesë lëndime trupore.
Top Channel