$6,500 për person/ Kompania private ushtarake e SHBA ofron evakuime abuzive nga Kabuli (fotot)

26/08/2021 17:48

Javët e fundit SHBA dhe vendet aleate po koordinojnë fluturimet e evakuimeve nga Afganistani pas ardhjes në pushtet të militatëve talibanë, por disa ente të tjera raportohet se po përpiqen të fitojnë para me grushte nga kaosi dhe paniku i krijuar.

Kreu i kompanisë private amerikane Blackwater, Erik Prince, nën-kontraktor i ushtrisë së SHBA, ka shkaktuar zemërim të gjerë publik madje dhe kritika nga Shtëpia e Bardhë teksa përpiqet të kthejë në një operacion fitimprurës tmerrin e afganëve që përpiqen të largohen nga Afganistani.

E përditshmja Wall Street Journal shkruante dje se kompania e ish-marinsit ‘SEAL’ ofronte bileta avioni për jashtë Afganistanit në këmbim të shumës marramendëse $6,500, madje duke thënë se çmimi mund të rrihej edhe më shumë nëse individët gjendeshin të bllokuar në shtëpitë e tyre dhe kishin nevojë për forcat speciale ushtarake për t’i shoqëruar.

Sipas Prince, udhëtarët që paguanin transportoheshin të sigurt jashtë aeroportit Hamid Karzai, edhe pse nuk ka asnjë garanci të vërtetë se kompania e Prince mund ta realizojë premtimin.

Çmimi spekulativ vjen në një kohë kur administrata Biden po nxjerrin nga vendi afganët me viza në fluturimet e rrezikshme të evakuimeve.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha dje se operacionet e evakuimit kanë larguar deri tani 82,300 njerëz nga Kabul, dhe se fluturimet janë koordinuar për ulje në vende të sigurta të rajonit.

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki dënoi dje ‘urinë’ për fitime të Prince, duke e quajtur kontraktorin e ushtrisë “të pashpirt.”

“Nuk besoj se një njeri me zemër e shpirt do të mbështeste përfitimin nga dhimbja dhe agonia e të tjerëve”, tha Psaki për gazetarët.

“Ne po kryejmë evakuimet pa kosto, sepse është hapi i duhur për të kryer, dhe nuk mbështesim përfitimin nga njerëz të dëshpëruar për t’u larguar nga një vend”, shtoi ajo.

Prince njihet si themelues i grupit Blackwater USA, katër anëtarë të të cilit u dënuan në 2014 për vrasje të civilëve të paarmatosur irakenë në 2007, teksa punonin për sigurinë e SHBA gjatë luftës së Irakut. Prej atëherë kompania ka ndryshuar emër dhe është shpërndarë në aksione me disa investitorë të tjerë privatë.

Aktualisht përpjekjet e evakuimeve në Kabul janë dëmtuar prej postblloqeve të shumta të militantëve, që kanë dëbuar shumë individë nga aeroporti.

FOTO GALERI
3/3
Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki dënoi dje ‘urinë’ për fitime të Prince, duke e quajtur kontraktorin e ushtrisë “të pashpirt.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA