Rrahu për vdekje 18-vjeçaren, me të cilën bashkëjetonte/ Gjykata miraton masën e arrestit ndaj Dardan Krivaqës

25/08/2021 14:30

Gjykata e Ferizajt, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Dardan Krivaqës, nën akuzën e vrasjes së partneres së tij, Marigona Osmani.

Ndaj Krivaqës rëndon akuza e vrasjes, e kryer në bashkëpunim me shokun e tij, Arbër Sejdiu. Autori mendonte se 18-vjeçarja e tradhtonte me djalin e dajës së tij. Për pasojë, mbrëmjen e 22 gushtit, ai ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vajzës e më pas e ka goditur fizikisht. Dhuna ka vazhduar gjatë 23 gushtit, kur në ndihmë të aktit makabër, Krivaqës i ka ardhur shoku i tij, Arbër Sejdiu. Dyshohet se pasi e ndjera ka ndërruar jetë, të dy e kanë marrë trupin e saj dhe e kanë lënë para spitalit të Ferizajt.

Krivaqa është person i njohur për policinë e prokurorinë në Ferizaj, pasi rezulton i përfshirë në vepra të ndryshme penale, si “Vjedhje e rëndë”, “Lëndim i lehtë trupor”, “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Kanosje”.

Ngjarja e rëndë nxiti zemërim te qytetarët, të cilët nuk nguruan të vizitojnë profilin e Dardan Krivaqa në Facebook, duke vërshuar ofendime e mallkime ndaj tij. Një ditë më parë, aktivistë e njerëz të thjeshtë protestuan  para institucioneve të policisë në Kosovë. Ata kërkuan drejtësi për Marigonën dhe për çdo vajzë të dhunuar fizikisht apo seksualisht në vend.

Njoftimi i Prokurorisë:

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Ibrahim Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij. me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S. gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur.

Top Channel