Kampionati shqiptar, ai i Superligës por edhe kategoritë poshtë saj do të jenë të fundit që do të fillojnë në Europë.
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur që do të jetë data 11 shtator si dita kur do të startojë sezoni i ri futbollistik 2021/2022. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF Ilir Shulku tregon më tepër rreth këtij edicioni.
“Sivjet Komiteti Ekzekutiv mori një vendim për ta shtyrë fillimin e kampionatit pas ndeshjeve të përfaqësueses, për vetë faktin që ky kampionat do të ketë sistemin VAR. Ishte një opsion për të filluar dhe më pas të implementonim këtë sistem, por nuk u pranua dhe si rrjedhojë nga data 11 shtator të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore do të startojnë nën vëzhgimin edhe të sistemit VAR”.
Po sa do të zgjidh problematikën e dyshimeve apo kontestimeve kjo risi për futbollin tonë?
“Çdo sezon kemi patur raste të diskutueshme të dukshme dhe unë mendoj që sistemi VAR do të shmang të gjitha këto, por nuk jam i mendimit që ky sistem do të vendos drejtësi 100% sepse kudo që përdoret ky sistem edhe në vende të tjera ka kontestime, por pjesa më e madhe padyshim që do t’i shërbejë shumë garës dhe klubet do t’i kenë shumë më të pakta kontestimet”.
Pas mëse një viti do të rikthehen në këtë start kampionati edhe tifozët në stadiume, një bukuri e munguar në edicionin e shkuar, por gjithsesi ky rikthimim për momentin është vetëm në 30% të kapaciteteve të stadiumeve.
“I kemi bërë dy kërkesa Ministrisë së Shëndetësisë ku i kemi kërkuar që të shtohet numri i pjesëmarrjes në stadiume deri në 100% shpresojmë që të marrim një përgjigje pozitive duke filluar që nga ndeshjet e kombëtares dhe për fillimin e sezonit të kampionatit shqiptar që të kemi më tepër tifozë në stadiume”.
Top Channel