Ndryshimi i klimës i shtoi me 9 herë gjasat që përmbytjet shkatërrimtare të muajit të kaluar në Gjermani e Belgjikë, të ndodhnin vërtet thotë hartuesit e një studimi të publikuar së fundi.
Të paktën 190 vetë humbën jetën nga vërshimi i ujrave në Gjermaninë Perëndimore në mesin e korrikut dhe 38 persona vdiqën pas reshjeve ekstreme në rajonin jugor të Wallonia-s në Belgjikë. Për të llogaritur rolin e ndryshimit të klimës në reshjet rekord që çuan drejt përmbytjeve masive, shkencëtarët analizuan të dhënat e motit dhe simulimet kompjuterike duke e krahasuar klimën e se kaluarës me situatën klimatike sot, që është rreth 1.2 gradë Celsius më e ngrohtë për shkak të emetimeve të prodhuara nga njeriu.
Ata u përqëndruan në nivelet e reshjeve një dhe dy ditore dhe zbuluan se dy zona veçanërisht të goditura rëndë panë reshje të pashembullta muajin e kaluar: rajonet Ahr dhe Erft i Gjermanisë, dhe ai Meuse (Mojis) i Belgjikës. Përmbytjet, sipas analizës së tyre, kishin 9 herë më shumë të ngjarë të ndodhnin në klimën më të ngrohtë tashmë të ditëve tona, krahasuar me skenarin e temperaturave të epokës para-industriale.
Friederike Otto, drejtoreshë e Institutit të Ndryshimeve Mjedisore pranë Universitetit të Oksfordit, tha se përmbytjet treguan se “as vendet e zhvilluara nuk janë të sigurta nga pasojat e rënda të kushteve ekstreme të motit, të cilat përkeqësohen me ndryshimet klimatike”.
Top Channel