Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur një muaj paraburgim për Arbër Sejdiun si i përfshirë në vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani.

Në një rrëfim për një media kosovare, familjarët kanë treguar versionin e ngjarjes për Arbrin, i cili është i martuar dhe ka dy vajza.

Familjarët tregojnë se Arbëri ishte bashkëpunues me autoritetet e sigurisë. Madje, sipas tyre, ai parandaloi vrasjen e dytë që e kishte planifikuar ta bënte Dardan Krivaqa, autor i vrasjes së Marigonës.

Ky i fundit, kishte synim ta vriste djalin e dajës, pasi sipas pretendimeve të Krivaqës, Marigona e kishte tradhtuar atë.

Kujtojmë se rreth një orë para varrimit të së ndjerës 18 vjeçare, Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë të dyshuarin kryesor për vrasjen e saj.

Dardan Krivaqa është arrestua në fshatin Sojevë të Ferizajt, në tentim për t’i ikur policisë me biçikletë.

Pas marrjes në pyetje nga prokuroria, Gjykata Themelore ka njoftuar se i njëjti bashkë me shokun e tij Arbër Sajdiu dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike dhe fizike nga 21 gushti deri në ditën kritike, kur edhe e ndjera ka ndërruar jetë.

Sipas deklaratës së dhënë nga i dyshuari kryesor, motivi i dhunës ishin dyshim se e njëjta e kishte tradhtuar me djalin e dajës, për çka gjykata nuk ka treguar nëse janë ofruar apo gjetur fakte.

E ndjera u varros në orën 13:00, ku familjarët kërkuan që drejtësia të vihet në vend dhe të mos ketë vrasje të tilla.

 

Top Channel