KQZ refuzon certifikimin e 160 kandidatëve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit

24/08/2021 18:49

Duke u mbështetur në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë kandidatë të cilët nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pikën ‘q’, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi theksoi se në përgjithësi, janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5.200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen në zgjedhjet për kryetar komune apo kuvende komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit.

Elezi në një konferencë për media nuk ka treguar emra, por ka kërkuar nga subjektet politike që të zëvendësohen këtë kandidatë me kandidatë të tjerë.

Sa i përket çështjes së emrave të cilët janë kthyer nga këto institucione ne tani për tani nuk mund të bëjmë të ditur të këto të dhëna, sepse është neni 30 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme që e liron KQZ-në për të mbajtur konfidenciale të gjitha informacionet sa i përket kandidatëve… Ajo që mund të konfirmojmë se nga këta 160 kandidatë të cilët janë në listën e KQZ-zë janë qoftë kandidatë për kryetar komunash apo për kuvende komunale dhe u takojnë së paku 30 subjekteve politike… Menjëherë pasi Zyra për regjistrim të partive politike ka pranuar përgjigjet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kjo zyrë ka njoftuar secilin subjekt veç e veç dhe varet prej tyre se sa shpejt mund të bëjnë përmirësimin e listës në këtë rast të dërgojnë mera të kandidatëve të rinj. Kjo është e paraparë që të zhvillohet deri më 25 gusht që subjektet politike që të bëjnë ndërrimin e emrave të kandidatëve”, tha Elezi.

Ai tha se sipas planifikimeve me planin operacional, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të paraqesë në KQZ rekomandimet lidhur me certifikim ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati, ndërkaq KQZ-ja do të marrë vendimet për certifikim më së largu deri më 1 shtator.

Në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”, tha ai.

Top Channel