Kosovë/ 13 persona humbin jetën në 24 orët e fundit, sërish numër i lartë infektimesh

24/08/2021 16:14

13 persona kanë humbur jetën si pasojë e covid 19, në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ku konfirmohen se po gjatë kësaj fashe orare janë testuar pozitivë edhe 1.901 raste të reja me koronavirus, bazuar në 10.848 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë.

Në 24 orët e fundit, 433 pacientë u shëruan nga koronavirusi, ndërsa raste aktive në Kosovë janë 21.922.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi të martën se janë 1016 pacientë të shtrirë në klinikat COVID-19 dhe spitalet e përgjithshme të vendit. Prej tyre, 902 janë të konfirmuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Sa i takon trajtimit, SHSKUK njofton se 797 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi ndërsa 37 janë në gjendje të rënduar shëndetësore.

Institucionet qeveritare, javën e kaluar, kanë marrë masa shtesë kufizimi mirëpo situata epidemiologjike vazhdon të jetë e rënduar.

Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim pasi, sipas tyre, që prej nisjes së fushatës së imunizimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

Vaksinimi i qytetarëve në Kosovë nisi në fund të marsit dhe aktualisht po përdoren dy vaksina për imunizim, ajo e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Vaksinimi i qytetarëve të Kosovë është esencial për shpëtimin e jetës së tyre dhe institucionet shëndetësore dhe qeveritare kompetente për shëndetësinë, duhet të jetë më agresive në fushatën për vaksinimin e qytetarëve, vlerëson epidemiologu Isuf Dedushaj.

Deri më 24 gusht, Kosova ka administruar mbi 720 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë 244.235 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Top Channel