Industria farmaceutike dhe bizneset që ushtrojnë aktivitetin në prodhimin dhe tregtimin e mallrave ushqimore janë fuqizuar ndjeshëm nga pandemia.
Këtë e konfirmojnë edhe vetë ekspertët kontabël që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me sipërmarrjet, pasi sipas tyre bilancet e dorëzuara pranë QKB-së konstatojnë një ecuri mjaft pozitive për këto sektorë, që kanë tejkaluar edhe nivelet e vitit normal 2019.
Ndërsa më të goditurat vlerësojnë ekspertët rezultojnë sipërmarrjet fason dhe biznese të tjera që varen nga kontratat me jashtë vendit.
“Në raport me vitin 2019 në përgjithësi ka rënie të shifrave, të rezultateve të pjesës më të madhe të biznesit. Por, ka disa lloje biznesesh specifike që kanë parë përmirësim të ndjeshëm të performancës në raport me 2020, por edhe me 2019 për shkak të llojit të aktivitetit që kanë ati që është favorizuar nga periudha e pandemisë siç janë bizneset e tregtisë, mallrat ushqimore apo farmaceutike që kanë pasur rritje të madhe, ndërsa bizneset e tjera kanë parë rënie në raport me vitin normal 2019, por në përmirësim kundrejt 2020-ës”, thotë Sotiraq Dhamo, ekspert kontabël.
Teksa pandemia vijon ende, farmaceutika duket se do të lulëzojë edhe këtë vit pasi deri në fund të korrikut tw këtij viti janë importuar në total 148.5 milionë euro medikamente dhe preparate mjekësore, teksa në fund të 2020 vlera e tyre arrinte në 200 milionë euro.
Optimiste situata paraqitet edhe për sektorët e tjetër, pasi bizneset kanë rritur besimin në ekonomi në pjesën e parë të këtij viti, nisur nga rritja e kërkesës, ecuria më pozitive e biznesit si dhe parashikimet më pozitive për punësim.
Top Channel