Presidentja Osmani reagon për 18-vjeçaren që u la e vdekur në derën e spitalit nga dy të rinj: Krime makabre! Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën

23/08/2021 16:30

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar për rastin e rëndë në Kosovë, ku një 18-vjeçare u dërgua në spital pa shenja jete nga 2 persona, të cilët u larguan menjëherë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Ferizaj, ku Marigona Osmani ndërroi jetë për shkak të lëndimeve trupore. Osmani thotë se duhet të ketë drejtësi e dënim për ata që kryejnë krime makabre, si dhe theksoi se nuk duhet heshtur apo të vijohet të lejohet trajtimi i këtyre rasteve si çështje familjare.

Presidentja e Kosovës u bëri thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese që të punojnë për të vënë pas prangave dy autorët. Sipas saj, dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme. “Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën”, shkroi Osmani teksa shprehu ngushëllimet për familjen e vajzës.

Postimi i Vjosa Osmanit

Për vajzën 18- vjeçare që e vranë në Ferizaj duhet të ketë drejtësi. Vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë.

Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. Si Presidente e vendit i bëj thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaji. U bëj thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave.

Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave.

Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë.

Top Channel