Nisin hetimet për kaosin në Nice-Marseille, të dy klubet duan tre pikët

23/08/2021 14:27

Duhej të ishte një mbrëmje festive, me një atmosferë të ndezur nga tifozëria e shumtë në shkallët e stadiumit, por në fund sfida e Ligue 1 mes Nice dhe Marseille rezultoi një turp për futbollin, me skenat e paimagjinueshme për nivele të tilla.

Tensioni ishte i lartë dhe evident që në minutat e para, por gjithçka kulmoi në minutën e 72-të, kur fantazisti i Marseille, Dimitri Payet u afrua për të ekzekutuar një goditje këndi dhe drejt tij vërshuan një sërë shishes uji.

Futbollistin marsejez nuk e mbajtën nervat dhe filloi të kapë shishet, për t’i hedhur mbrapsht drejt tribunës pas portë, gjë që e bënë më pas edhe lojtarë të tjerë të Marseille-s, ndërsa kaq mjaftoi që të fillonte kaosi.

Dhjetëra tifozë kaluan barrierën dhe u futën në fushë për t’u përballur direkt me lojtarë të Marseille, ndërsa forcat e sigurisë dhe futbollistët e stafi vendas e kishin të pamundur të shmangnin konfrontimet fizike në katërkëndëshin e blertë.

Për disa minuta në fushë ndodhi gjithçka, por më e rënda ishte konfrontimi mes tifozëve e futbollistëve të Marseille, disa prej të cilëve treguan edhe shenjat e betejës në rrjetet sociale, pasi ishin rikthyer në dhomat e zhveshjes.

Ajo që ndodhi në “Allianz riviera’ të kujtonte skenat e ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, me dy skuadrat që u futën në dhomat e zhveshjes dhe pas disa minutash, drejtuesit e Ligës vendosën që sfida të rifillonte.

Futbollistët e Nice dolën në fushë dhe pritën kundërshtarët, të cilët ishin të bindur që nuk kishte kushte sigurie për të vijuar ndeshjen dhe refuzuan të bëjnë të njëjtën gjë, duke detyruar arbitrin të sinjalizojë mbylljen para kohe të sfidës.

Drejtuesit e Marseille reaguan zyrtarisht, duke thënë se klubi i Nice kishte dështuar në organizimin e ndeshjes dhe planifikimin e masave të sigurisë, teksa në të njëjtën kohë kërkuan fitoren e ndeshjes në tavolinë për shkak të hyrjes së tifozëve në fushë.

Nga ana tjetër fitoren në tavolinë e kërkojnë edhe vendasit, të cilët i referohen rregullores dhe kapen pas faktit që Marseille refuzoi të kthehej në fushë, ashtu siç urdhëruan drejtuesit e Ligës, të cilët donin vazhdimin e ndeshjes vetëm për çështje të sigurisë publike.

“Është një zhgënjim dhe të gjithë e panë se çfarë ndodhi. U hodhën shishe dhe këtë nuk e vëmë në diskutim, por situata doli jashtë kontrollit pasi lojtarët e Marseille reaguan duke goditur tifozët”, u shpreh presidenti i Nice, Reviere.

“Kjo që ka ndodhur është e papranueshme dhe duhet të bëhet precedent për futbollin francez. Arbitri ishte me ne dhe pranoi se në stadium nuk ishin kushtet e sigurisë për të vijuar ndeshjen, por Liga vendosi ndryshe për çështje të rendit publik”, deklaroi bosi i Marseille, Longoria.

Tani të dy skuadrat kërkojnë fitoren në tavolinë, ndërsa mediat në Francë raportojnë se organet disiplinore shtetërore dhe ato pranë Federatës kanë hapur hetime paralele për ngjarjen. Opsioni më i mundshëm është që të dy klubet të dënohen, por ajo që do të vuajë më shumë, është tribuna e stadiumit, të cilës do t’i rikthehet sërish trishtimi i qëndrimit bosh, ndërkohë që futbollistët japin shfaqjen e tyre në fushë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA